29
E, Q
2471 New Articles

“Jepini fund bojkotit”/ Thirrja e BE për opozitën shqiptare pasqyrohet në “The Washington Post”

POLITIKE
TIPOGRAFIA

Prestigjiozja “The Washington Post” i ka kushtuar sot një artikull thirrjes së mbrëmshme të dy zyrtarëve të lartë të BE-së, Shefja e politikës së jashtme në BE, Federica Mogherini dhe komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn, të cilët kërkuan që opozita shqiptare t’i japë fund bojkotit të Parlamentit si dhe shprehën shqetësimin për mos regjistrimin e saj në zgjedhje.

“Bashkimi Evropian i bëri thirrje opozitës shqiptare të mërkurën t’i japë fund bojkotit të parlamentit dhe të marrin pjesë në procesin e nisjes së reformës në drejtësi, që konsiderohet si kyçe për integrimin e vendit në BE. Shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini dhe komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn lëshuan një deklaratë të përbashkët duke i kujtuar Shqipërinë se zbatimi i reformës në drejtësi ishte “një hap i rëndësishëm për vendin për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian”,- theksohet në shkrimin e “The Washington Post”.


Duke iu referuar deklaratës së Mogherinit e Hahn, “The Washington Post” thekson: “Ata thanë se debati politik duhet të bëhet brenda parlamentit dhe sipas praktikave demokratike”.

Më tej në shkrim theksohet se: “Reformat e drejtësisë të miratuara vitin e kaluar janë penguar nga bojkoti i opozitës në parlament, i cili duhet të krijojë organet e verifikimit që do të vlerësojnë gjyqtarët dhe prokurorët. Opozita thotë se këto organe mund të jenë subjekt i manipulimit”

“The Washington Post” komenton edhe deklaratën e djeshme të kryeopozitarit Lulzim Basha që akuzoi diplomatë të lartë të BE-së se janë shitur tek kryeministri Rama për të bërë vettingun, një projekt mafiz, siç e quajti ai.

“Kreu i Partisë Demokratike të opozitës Lulzim Basha të mërkurën akuzoi diplomatë të lartë në Tiranë, pa i përmendur ato, se kanë mbështetur përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për të vënë sistemin e drejtësisë nën kontrollin e partisë në pushtet”,- theksohet në shkrim.

Më tej në artikull i kushtohet vëmendje edhe protestës së opozitës para zyrës së kryeministrit që më 18 shkurt.

“Që nga mesi i shkurtit, mbështetës të demokratëve kanë bllokuar bulevardin kryesor në Tiranë, me një çadër përballë zyrës së Ramës, duke deklaruar se do të bojkotojnë zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit për shkak të pretendimeve se qeveria do të manipulojnë zgjedhjet me paratë e drogës”.

 

E duke u ndalur tek reforma e drejtësisë, “The Washington Post” shkruan se ato “u miratuan njëzëri vitin e kaluar dhe u përgatitën me ndihmën e ekspertëve të BE dhe SHBA”, ndërsa këshillon që “Shqipëria duhet të përmirësojë sistemin e drejtësisë të korruptuar para se Brukseli t’i hapë rrugë negociatatve për anëtarësim në BE”.