19
Sh, G
2658 New Articles

Presidenti Nishani jep alarmin: Kriminelët do dalin nga burgjet nëse….

POLITIKE
TIPOGRAFIA

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani në një intervistë gjatë emisionit “Arena” në Ora News, thotë se nëse Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të pushojë së funksionuari deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, kriminelët do të lirohen nga burgjet, duke e shpjeguar me detaje se pse ndodh kjo.

Gjykata Kushtetuese sapo zgjati mandatin tuaj si kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ju e shikoni që reformë në drejtësi nga kontrolli që ushtronit ju dhe ministri i Drejtësisë në KLD, e kthen drejtësinë në një lloj sekti të mbyllur ku prokurorët dhe gjykatësit vendosin për veten e tyre.

Nishani: Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka nevojë për qartësime sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhet me vijimin e punës së anëtarëve të KLD-së, por kur vijmë në rastin e Presidentit, në Kushtetutë ka një aneks që specifikon ndalimin e vijimit të Presidentit si kryetar i KLD-së më shumë se 8 muaj nga hyrja në fuqi e Kushtetutës. Gjithsesi, kjo mbetet për t’u parë.

Jam duke u konsultuar me këshilltarët e mi politik dhe me anëtarët e KLD-së, që të mos e fusim në një ngërç vijimin e punës në KLD. Mund t’ju them se nëse KLD nuk do të funksionojë deri në krijimin e KLGJ-së, mund të dalin nga burgjet për shkaqe procedurale kriminelët që kanë kryer akte të rënda kriminale në vend. Ju mund të thoni si mund të dalin?

Mund të dalin proceduralisht sepse në KLD një nga çështjet që trajtojmë është delegimi i gjykatësve nga një gjykatë në tjetrën në momentin kur konstatojmë që gjykatësit e një gjykate e kanë të pamundur për efekte procedurale dhe përfshirjen në një çështje të caktuar për një kohë shumë të gjatë u ndalohet nga Kodi i Procedurës ta gjykojnë një çështje dhe gjykatësit e Krimeve të Rënda bie fjala nuk ka më gjyqtar për të gjykuar çështjen e një krimineli që ka kryer krime të rënda. Në këtë rast delegojmë gjyqtarë nga Gjykata e Tiranës le të themi.

 

Dhe kompensojmë këtë boshllëk që krijohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe anasjelltas. Kryhet ky lloj delegimi për të kompensuar pamundësinë e kryerjes së detyrës nga disa gjyqtarë që për shkaqe procedurale nuk e gjykojnë dot më një çështje. Nëse nuk do të ketë KLD derisa nuk është krijuar Këshilli Gjyqësor, do të thotë se nuk do të ketë një trupë që t’i delegojë këta gjyqtarë, do të thotë se digjen të gjitha afatet e paraburgimit dhe të dalin të gjithë kriminelët pa u gjykuar për efekte procedurale. Me këto afatet që u vunë në anekset kushtetuese dhe në ligjet më pas duke u nxituar dhe pa u menduar mirë për të na krijuar problematika të tilla. Për mua prevalon interesi i shtetit dhe jam në konsultë për të parë se si do të funksionojë KLD-ja deri në krijimin e KLGj-së.
(BalkanWeb)