29
H, M
2388 New Articles

Eksperti: 18 Qershori është djegur, presidenti duhet të dekretojë një datë të re zgjedhjesh

POLITIKE
TIPOGRAFIA

Djegia e afatit të 10 prillit nga partitë e opozitës për të mos u regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka eliminuar çdo shans që ato të marrin pjesë në zgjedhje më 18 qershor. Sipas ish-­kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, e vetmja mënyrë që PD- ­ja dhe aleatët e saj të marrin pjesë në zgjedhje është duke caktuar një datë të re.

Në një prononcim për “Panorama”, Çlirim Gjata ka theksuar se dekretimi i një date të re të zgjedhjeve nga Presidenti është e vetmja mënyrë që të rikthehet normaliteti dhe partitë e djathta të jenë pjesë e zgjedhjeve “Ligjërisht dhe praktikisht, në të gjitha drejtimet opozita nuk merr pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. E vetmja rrugë është shtyrja e zgjedhjeve, sepse me shtyrjen e zgjedhjeve në një datë të re e rivendos edhe një herë në afatin 70-­ditor para zgjedhjeve, pasi tani 70­ ditëshi nuk llogaritet në datën 18 qershor, por me datën e re. Kjo do të bënte që të regjistroheshin partitë, prandaj gjithçka varet nga kompromisi politik që duhet të ndodhë normalisht që ta kthente në normalitet”, tha Gjata.

MUNDËSITË

Por sa ligjore dhe sa e mundshme është kjo? Ish- ­kreu i KQZ-­së kujton precedentin e zgjedhjeve të vitit 2007. Sipas tij, edhe në këto zgjedhje opozita e asaj kohe (PS sot në pushtet) dogji politikisht afatin e regjistrimit në zgjedhjet vendore. “Precedent ka vitin 2007 për zgjedhje. Kam dëgjuar shpesh që thotë jo se ato ishin zgjedhje lokale. Por çfarë rëndësie ka kjo, edhe atëherë politikisht u përdorën nga opozita e kohës. U përdor politikisht e humbi afatin e regjistrimit në zgjedhje, u gjet kompromis politik dhe u shtynë zgjedhjet, si dhe u regjistrua PS­ja në afatin e ri. Përderisa ka një precedent, pse të mos bëhet prapë? Nuk është problemi tek ana ligjore, sepse i kam dëgjuar shpesh që thonë nuk ka zgjidhje ligjore. Përderisa ndodhi një precedent e një kompromis politik dhe u gjet zgjidhja ligjore, pse të mos gjendet prapë kjo zgjidhje?”, shprehet Gjata.

PENGESAT

Nëse palët bien dakord, sipas Çlirim Gjatës, atëherë nuk ka asnjë pengesë ligjore. Sipas tij, Kushtetuta nuk ka ndryshuar dhe është e njëjta që në vitin 2007 u përdor nga Presidenti për të dekretuar një datë të re zgjedhjesh. “Siç e shtyu herën e parë, Presidenti me të njëjtën Kushtetutë, që nuk e pengoi në vitin 2007. Është e njëjta Kushtetutë, në këtë pikë s’ka ndryshuar Kushtetuta. Dekretet e Presidentit nuk janë normative, janë dekrete formale. Tani këtë President kemi, kështu e kanë bërë Presidentin. Janë dekrete formale, thjeshtë caktojnë datën e zgjedhjeve, bien dakord që të shtyhet data e zgjedhjeve, dhe Presidenti shtyn dekretin që ka shpallur një herë. Ka një parim, çdo ligj, çdo akt, çdo dekret është plotësisht kushtetutës dhe i rregullt, për sa kohë që nuk është shprehur Gjykata Kushtetuese, që ta shpallë si antikushtetues. Edhe kjo mund të ndodhë”, ka thënë dje Gjata. / PANORAMA