29
E, Q
2471 New Articles

Bazhdari denoncon blerjen e votes nga mafiozet e politikes

POLITIKE
TIPOGRAFIA

Nga Keti Bazhdari

E majtë do të thotë vizion e pasion revolucionar, të kombinuara sëbashku, për të thyer tabu dhe përhapur drejtësi sociale aty ku mbizotëron padrejtësia dhe hendeku shoqëror. Të majtët aspirojnë dhe punojnë për një të ardhme të shanseve te barabarta, që fatkeqësisht diktaturat e kuqe e shpërdoruan dhe e deformuan në barazitizëm me karakter hakmarrës, luftarak e diskriminues, aspak ndryshe nga diktaturat e të djathtës ekstreme, duke i rënë ndesh të gjitha parimeve themelore të së majtës progresiste, e cila është iniciuesja dhe përmbushësja e reformave më prosociale dhe antidiskriminuese në botë.

Mendësia progresiste s’e koncepton t’ia marrësh me dhunë atij që di e përpiqet dhe t’ia japësh atij që s’do t’ia dijë e as përpiqet, por kërkon cdo ditë mekanizma të rinj, brenda mentalitetit demokratik, të bindë atë që mundet, të heqë dorë nga një pjesë e vogël, për të mbështetur atë që s’mundet dhe kështu të përfitojmë të gjithë bashkë për të jetuar në kushtet e një shoqërie më solidare e me prosperitet.

Popujt që kanë arritur në këtë nivel gjykim, tregojnë sot se janë edhe më të zhvilluarit, më pak paragjykuesit, ata që respektojnë e mbrojnë diversitetin kulturor, që investojnë pak ose aspak në armë e shumë në arsim dhe që nuk e konceptojnë dot një shoqëri ku njerëzit ta lënë njëri tjetrin në mëshirë të fatit, por punojnë sëbashku për të krijuar sistemin e duhur të vlerave dhe suportit komunitar, pasi si njerëz të arsyeshëm, askush nuk e pretendon veten apo tjetrin imun ndaj fatkeqësive. Kjo ka bërë që këta qytetarë të lirë e të emancipuar të jetojnë në paqë, harmoni e unitet me njëri tjetrin dhe ambjentin si dhe të kenë indeksin më të lartë të lumturisë në rang botëror.

Kjo është pra shkodranë të dashur e majta progresiste, lokomotiva e demokracive pjesëmarrëse dhe mirëqenies së popujve, që e ka celur rrugën e saj me shumë sakrifica e përpjekje nëpër botë, duke u përplasur me pengesa të forta si në kulturën e të menduarit, ashtu dhe atë të bërit, që nga radikalizmi, gjuha e injorancës, urrejtjes, përcarjes, mafia, krimi deri te forma të caktuara të bajraktarizmit që përmbledhin tërë të keqen në vetvete dhe synojnë me cdo mënyrë riciklimin brenda demokracive të brishta.

As nuk diskutohet që momenti i fitores së progresit është i pashmangshëm edhe për Shqipërinë, por ai vjen atëherë kur piqen kushtet që shumica e popullit të disponojë qartësinë, vullnetin dhe dëshirën për një vend më të mirë dhe të begatë.

Përsa i përket një Shqipërie dhe Shkodre më të mirë dhe të begatë, as kam dyshim që shkodranët e dëshirojnë fort, por ajo cfarë duhet të kenë jashtëzakonisht kujdes është qartësia me të cilën e shohin të realizuar këtë. Vota është mjeti i vetëm që disponon një popull për të projektuar të ardhmen e vet. Dhe kjo varet nga ju, nëse do të lejoni t’ua blejnë përsëri fatin dhe të votoni një parlament bllokimesh e skandalesh, apo do ta merrni vetë ne dorë fatin tuaj dhe ta shkundni votën kundër krimit të organizuar dhe bajraktarëve injorantë dhe mafioze.

Çdo votë e majtë e shitur kundrejt lekëve, premtimeve boshe apo e hedhur me papërgjegjësi dhe që nuk shkon për Partinë Socialiste, është votë e cuar dëm, kundër Partisë Socialiste, kundër të ardhmes europiane të Shqipërisë dhe pro mafiozave e hajdutave në parlament. Asnjë nevojë sado jetike qoftë, nuk e justifikon veprimin që ju të shkatërroni të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve! Vërini gishtin kokës, me privilegjet e momentit bëni si të doni, por votën hidheni për Partinë Socialiste!