23
Sh, SH
2745 New Articles

Rama prezanton qeverinë e re, këta janë ministrat e rinj që do qeverisin vendin për 4 vitet e ardhshme

POLITIKE
TIPOGRAFIA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sot, gjatë fjalës në Asamblenë e Partisë Socialiste ka shpallur qeverinë e re të vendit, pas fitores së zgjedhjeve më 25 qershor.

Edi Rama dhe Niko Peleshi në cilësinë e kryetarit të grupit të punës për reformën në administratë, prezantuan ditën e sotme formatin e qeverisë së re.

Prezantimin, Rama e nisi nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, post të cilin për katër vitet e ardhshme do e mbajë Gramoz Ruçi. Sipas tij, emri i Ruçit është garancia e parë e kësaj qeverisje. Më pas, publik nga kryeministri u bë edhe emri i kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, që për katër vitet e ardhshme do përfaqësohet nga Taulant Balla.

Kryeministri Edi Rama tha se do të ndryshojë struktura e qeverisë së re. Ajo do ketë 11 ministri dhe dy ministra Shteti, përbërja e kësaj qeverie do ndahet me 50 për qind burra dhe 50 për qind gra.

 “Struktura do ndryshojë, mënyra e funksionimit do ndryshoje. Eksperienca e këtyre katër viteve dhe defektet e mandatit të parë por edhe sfidat e mandatit të ri çojnë në përfundim se na duhet një qeveri më e vogël dhe më bashkëpunuese me partinë”, tha Rama.

Ai zbuloi se anëtarët e kabinetit dhe drejtuesit e partisë do punojnë me një kalendar të përbashkët.

Ministrat do paraqesin planin e punës në fillim të çdo sesioni dhe në fund do bëjnë bilancin. Çdo mosrealizim të pajustifikuar do çojë në largim e çdo ministri apo ministreje”, tha Rama.

11 ministri dhe 2 ministra shteti

50% burra dhe 50% gra

Zv/ kryeministre Senida Mesi

Ministër i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko

Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrëseve Sonila Qato

Ministria e Jashtme Ditmir Bushati

Ministria e Brendshme Fatmir Xhafaj

Ministria e Mbrojtjes Olta Xhaçka

Ministria e Drejtësisë Etilda Gjoni

Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro

Ministria e Financave, Ekonomisë e Punës Arben Ahemtaj

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla

Ministria e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social Ogerta Manastirliu

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri

Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi

Më herët, gjatë fjalës së tij, kryeministri theksoi se kërkon të jetë fare i qartë, bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm nuk është togfjalësh propagandistik, është një sfidë reale për të ndërtuar dhe vënë në funksionim një koalicion real, fillimisht në nivel qendror, të cilën në dy vite edhe në nivel vendor.

Ky proces është baras me krijimin e një force të re politike. Jemi në fillesën e një projekti të ri politik me frymëzimin nga poshtë dhe me reflektimin tonë nga lart. Shqipërisë i duhet, shqiptarët e duan dhe ne duam t’i japim një forcë atipike e imponuar nga nevoja e vendit, për të çuar në një stad të ri shtetin, një bashkim i domosdoshëm njerëzish nga të gjitha shtresat për të mundësuar arritjen e këtij stadi të ri”, tha Rama.

Kryeministri më tej, bëri me dije se ky është mandati më i vështirë që kur ai ka marrë këtë detyrë. Sipas tij, fati i kësaj supersfide varet nëse do arrihet të mbrohet ky super-pushtet nga vetvetja.