18
Sh, N
2975 New Articles

Rama: Tahiri na duhet në Parlament. Meta, jo rol bllokues

POLITIKE
Typography

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një takim informal me gazetarët në Llogara, ku dhe iu është përgjigjur pyetjeve të shumta.

Pyetjes së përse Saimir Tahiri është lënë pa një post ministror, ndonëse ai është vlerësuar shumë nga ana e tij, Kryeministri tha se qeveria nuk është një seksion kombëtareje.

“Qeveria nuk është një seleksion kombëtareje. Na duhet një grup i fortë parlamentar që qeveria të mbahet nën presion nga deputetët. Kemi kapacitete shumë të mira që na jep mundësi të bëjmë hapjen dhe forcimin e partisë. Kemi nevojë për një grup të fortë në Partinë Socialiste dhe kjo nuk mund të bëhej nëse do ngarkohej me postin e ministrit”.

Deklaratave të Presidentit Meta në kohë fushate se nuk do të dekretojë qeverinë nëse konstatohet vjedhje të votave, Rama u shpreh se nuk do të ketë probleme.

“Nuk shoh një potencial aq auto-destruktiv sa ajo që u shfaq në fushatë. Mendoj se nuk do të ketë probleme dhe ato deklarata për mos dekretim të qeverisë ishin vetëm për kohë fushate”.

Rama ka komentuar edhe rolin që do të ketë PD-ja dhe LSI-ja si forca opozitare në vend. “LSI është një opozitë nga halli, pasi Partia Demokratike është forca kryesore opozitare në vend. LSI kaloi në opozitë për shkak të gabimeve strategjike”, – shtoi kryeministri.

 

Duke qëndruar tek PS, kryeministri ka paralajmëruar edhe projektin “Partia Socialiste +”, që sipas tij ka të bëjë me të ardhmen e partisë. “Ne synojmë edhe një PS+. Sepse unë mendoj edhe për të ardhmen e PS”, ka theksuar Rama.

Mes të tjerash kreu i qeverisë ka nënvizuar se sfidë e kabinetit të tij do të jetë forcimi i mekanizmave të institucioneve publike, duke reduktuar burokracitë. Një shembull për këtë është edhe shkrirja e Ministrisë së Integrimit tek ajo e Jashtme.

“Ne do ta spostojmë pjesën e problematikave të integrimit, që kanë të bëjnë me përgatitjen e dikastereve, tek MPJ. Për këtë kemi shembullin e Hungarisë dhe Sllovakisë. Kur të hapen negociatat do të ketë një kryenegociator dhe nuk është e nevojshme të ketë një burokraci kaq të madhe”, ka vijuar Rama.