25
H, SH
2759 New Articles

Zyrtare/ Hashashi shkatërroi bletët. Shuhen gjysma e koshereve

AKTUALITET
TIPOGRAFIA

Viti 2016 ka qenë një vit dramatik për bletërritësit. Sipas të dhënave në shkallë kombëtare, këtë vit janë shuar 40 për qind e koshereve. Shoqata e Bletërritësve të Shqipërisë pohon se nga 360 mijë koshere që numëroheshin gjithsej në të gjithë vendin për vitin 2016, më shumë se 144 mijë koshere nuk e kanë kaluar dimrin. Humbjet llogariten 58 milionë euro. Bletarët e kontaktuar nga “Monitor” bënë si shkaktar kryesor të humbjeve kultivimin masiv të hashashit në vend.

Refik Kutrelli, nga komuna Orenje e Librazhdit, humbi këtë vit të 27 kosheret e bletëve. Bleta e fundit iku javën e kaluar dhe tani kanë mbetur kosheret me mjaltë.

refko

Familja Kutreli, përveç bagëtive, e kishte burim kryesor të ardhurash mjaltin. Prej vitesh, Refiku është marrë me mbarështimin e bletëve, por ajo që i ka ndodhur në vitin 2016 e ka befasuar. Është i shqetësuar nga fakti se ende nuk po kupton shkaqet se pse bletët i kanë ikur nga kosheret e nuk janë kthyer më. “Nuk kam bërë analiza se pse bletët vdiqën, pasi ato kanë ikur për kullotë dhe nuk janë kthyer më. Të gjitha mjekimet i kam bërë. Ilaçet më vinin nga Greqia”, – thotë bletërritësi.

Fenomeni, sipas tij, është i përhapur në të gjithë Librazhdin këtë vit dhe vetëm në komunën Orenje, rreth 2000 bletë nuk e kanë kaluar dimrin.

Humbjet për familjet fermere që sigurojnë jetesën në këtë mënyrë janë të mëdha. Bletërritësit e zonës në shumë raste bëjnë me faj kultivimin e drogës në kodrat përreth, e cila i ka harlisur bletët, të cilat nuk kanë gjetur më rrugën për t’u kthyer në koshere.

Viti 2016 ka qenë një vit dramatik për bletërritësit. Sipas të dhënave në shkallë kombëtare, këtë vit janë shuar 40 për qind e koshereve.

Shoqata e Bletërritësve të Shqipërisë njofton se nga 360 mijë koshere që numëroheshin gjithsej në të gjithë vendin për 2016, më shumë se 142 mijë nuk e kanë kaluar dimrin.

Kryetarja e Shoqatës së Bletërritësve të Shqipërisë, Lejla Shehu, ndërthur shumë faktorë që kanë çuar në këtë humbje. Dimri i acartë, mungesa e standardeve në mjekim dhe përhapja masive e rriqrës kanë qenë faktorët kryesorë që kanë çuar në humbje. Ajo nuk e përjashton faktin se kultivimi i drogës ka ndikuar negativisht, por shpjegon se nuk ka fakte shkencore ose të dhëna laboratorike për këtë fakt. Por Shehu thotë se era e bimës mund të ketë ndikuar në trullosjen e tyre, duke bërë që bletët të humbin rrugën për në koshere. Nga ana tjetër, bletarët të cilët kanë humbur bletën në kullotë, nuk gjejnë arsye tjetër, veç efekteve çoroditëse të hashashit.

Fenomeni i humbjes së bletëve ka përfshirë të gjithë vendin pa përjashtim. Shyqyri Poçi, nga Komuna e Malit të Zi në Kukës, inxhinier pyjesh dhe që merret me bletarinë në një zonë ku dominon gështenja, tha se ky vit që dramatik për komunën. Ai tha se rreth 80 për qind bletëve nuk e kanë kaluar dimrin. E gjithë komuna llogaritet të ketë humbur rreth 1500 bletë.

 

Humbjet për bletarët, marramendëse, arrijnë 60 milionë euro

Biznesi i bletarisë ka marrë hov vitet e fundit, pasi numri i koshereve është trefishuar gjatë dekadës. Mirëpo ky biznes është zhvilluar tërësisht spontanisht, pasi mungojnë politikat për zhvillimin e standardizuar të tij, mbështetja financiare dhe për më tepër specialistët. Sot, Ministria e Bujqësisë nuk ka një specialist që të njohë sektorin e bletarisë dhe të kujdeset për politikat e sektorit. Prandaj humbjet e fermerëve, jo vetëm që kanë ngelur jashtë vëmendjes të institucioneve, por në fakt i kanë krijuar një humbje kolosale ekonomisë së vendit.

Sipas përllogaritjeve, humbjet nga bletët e vdekura në rang kombëtar arrijnë në rreth 60 milionë euro. Sipas të dhënave nga Shoqata e Bletarisë, një koshere kushton rreth 20 mijë lekë. Ndërsa rendimenti i vjetor i një blete nga sasia e mjaltit që prodhon mesatarisht (12-20 kilogramë) llogaritet 36 mijë lekë në vit. Për rrjedhojë, vlera e kosheres së bashku me vlerën e munguar e fitimit vjetor nga mjalti për 144 mijë koshere llogaritet mbi 8 miliardë lekë ose 58 milionë euro. /Monitor