21
Sh, T
2795 New Articles

Velipoja ne prag te sezonit turistik, e "pushtuar" nga mbetjet

AKTUALITET
TIPOGRAFIA

Edhe pse kanë mbetur vetëm pak ditë nga hapja e sezonit turistik në Velipojë, situata e mbetjeve në këtë njësi administrative vijon të mbetet alarmante.

Në një pjesë të madhe të zonës mungojnë koshat për hedhjen e mbetjeve, por edhe aty ku janë prezentë, pirgje me mbeturina shfaqen si panoramë e përditshme.

Në zonën e Vilunit fare prane qendrës së plazhit, mbeturinat thuajse kanë bllokuar kalimin në rrugën kryesore. Përveç mbetjeve të shumta urbane, materiale inerte si dhe degë të shumta pemësh qëndojnë pranë koshave.

Një situatë e tillë vijon prej kohësh në qendër të plazhit të velipojës. Aksioni për pastrimin që u zhvillua disa javë më parë mesa duket ka përfshirë vetëm pjesën e rërës, pasi rrugët kryesore janë një imazh negativ për turizmin në këtë zonë. Njësia Administrative, ashtu si edhe disa njësi të tjera pjesë e Bashkisë Shkodër, akoma nuk ka arritur ta zgjidhë problemin e trashëguar me mbetjet urbane.

Një tjetër fenomen që i bie në sy çdo turisti momentin e parë që viziton Velipojën, është edhe tharja e palmave në afërsi të plazhit, investim ky i 3 viteve të fundit nga ish-komuna Velipojë.

 

Tashmë Bashkia Shkodër ka përcaktuar 1 majin si datë paraprake për hapjen e sezonit turistik në Velipojë, por mesa duket nuk është kujdesur për rehabilitimin e mbetjeve të shumta që janë të panishme në çdo lagje.