19
D, N
3006 New Articles

Dossier/ Dom Simon Jubani, Kleriku që vrau frikën

AKTUALITET
Typography

Rihapja e objekteve të kultit pas ndalimit 23 vjeçar të lirisë së besimit përbën një nga monentet kulmore të historisë.

Shkodra, qyteti i vlerave të shumta dhe më i persekutuari i rregjimit komunist, do t’i printe këtij veprimi të guximshëm për kohën dhe do të sfidonte diktaturën, duke rihapur pas 23 vjetësh objektet e kultit dhe duke zhvilluar edhe ritualet përkatëse.

Por, përveç rëndësisë së kësaj ngjarjeje, ajo që përbën një vlerë unikale, shembull të bashkëjetesës fetare në qytetin e lashtë është fakti se në rihapjen e këtyre objekteve, përkatësisht me 11 dhe 16 nëntor 1990 morën pjesë besimtarë të të gjithë feve, që punuan së bashku për të rivënë në funksionim objektet fetare të mbetura nga shkatërrimi ateist i 23 viteve. Asnjëherë dhe në asnjë rast, qytetarët shkodranë nuk kishin qenë aq të bashkuar pavarësisht besimeve fetare, për një qëllim, sfidimin e frikës së dikaturës dhe rikthimin legjitim të lirisë së besimit dhe ushtrimit të saj. Mesha e 4 nëntorit 1990 shënoi edhe fillimin e rikthimit të madh në besimin në Zot, besim që për një pjesë të shqiptarëve nuk kishte shteruar asnjëherë, por që diktatura e mohoi dhe detyroi të mos e aplikonin, pa folur për masakrën që iu bë klerikëve dhe qytetarëve që guxonin, qoftë dhe pa dashje, të përmendnin Zotin.

Mesha e 4 nëntorit ka qenë diçka spontane që shërbeu për organizimin e një jave më vonë, atë të 11 nëntorit 1990. Dëshmitarët e atyre ditëve tregojnë se gjithçka kishte nisur spontanisht, më 4 nëntor, por që shumë shpejt ishte kthyer në një veprim të organizuar deri në detaje. Siç kujton në librat e tij vetë Dom Simon Jubani (1927-2011) gjithçka nisi më 4 nëntor 1990. “Më 4 nëntor 1990, në orën 9 paradite, vjen në shtëpinë time një qytetar shkodran, Mark Murana, i cili punonte shofer autoabulance. Ai më tha se do njerëz të mbledhun tek vorret katolike, ku kanë të dashtunit e tyre, ndërsa janë duke i pastru ato, dojshin me ba meshë dhe e kishin dërgu Markun me më thirrë mue, që isha meshtari që e kishte shpinë ma afër.

Dhe unë, tue shpresue se askush nuk do të guxonte me më thanë gja, kjo për shkak të fjalëve që ishin përhapë se komunizmi në Lindje po binte shpejt, bana gati valixhen me gjitha orenditë e meshës dhe u nisa. Ai popull i paktë që ishte mbledhë në varreza, pasi ishte muaji i të vdekurve apo i purgatorëve sipas besimit katolik, ishte tu pastru vorret e të afërmve të tyre dhe nga frika e ndonjë pasoje as më përshëndetën, duke u dukur sikur nuk kishin punë me mua. Unë shkova drejt vendit ku dikur kishte qenë elteri, ndërsa Marku erdhi me një tavolinë në dorë Aty mbajta meshën pas gjithë asaj kohe ndalimi, pa e pasë mendjen se çfarë mund të ndodhte, por vetëm duke u përfshi nga bërja e sakramenteve dhe entuziazmi që arrita në këtë ditë. Dalëngadalë turma drejt elterit u shtua. Mesha e parë në madhështinë e vet mbeti një fakt i izoluem, por shërbeu si si fillim i atij organizimi që një javë më pas solli 11 nëntorin, meshën solemne të rikthimit të besimit”.

Dëshmitarë të asaj dite kujtojnë se 4 nëntori ishte një një ditë me shi dhe disi e ftohtë. Luçe Marku, aktualisht 62 vjeçe, e ndodhur në meshën e 4 nëntorit 1990, kujton atë që ka ndodhur . “Ishin ditët e para të muajit të purgatorëve dhe qytetarët, disi në mënyrë të fshehtë, shkonin për t’u lutur pranë varreve të vjetra të të afërmve. Disa nga të rinjtë që ndodheshin atje atë ditë drejtohen në kapelen e varrezave dhe nisin ta pastrojnë nga barërat e shkurret përreth.

Pak minuta më vonë në varreza shfaqet Dom Simon Jubani, një klerik i njohur për guximin dhe mos nënshtrimin ndaj torturave dhe terrorit komunist”. Ndërsa Eduart Preka, qytetar i Shkodrës, kujton sesi kishte shkuar tek varrezat katolike bashkë me gjyshen e tij për të vizituar të afërmit që preheshin aty dhe rastësisht ka patur fatin të asistonte në atë që tha Dom Simon Jubani 25 vjet më parë. Shkodra kremton 25-vjetorin e ceremonisë së thjeshtë fetare, në varrezat katolike të Rrmajit, më 4 nëntor 1990. Minutat magjike dhe mesha e parë, një javë më vonë, ku u mblodhën qytetarë të të gjitha besimeve kujtimet

Mesha e 11 nëntorit, dita me diell që vrau frikën

Dukej si diçka e bërë pa shumë përgatitje, por në fakt rezultoi e suksesshme. Pa shumë zhurmë, akulli ishte thyer. Kishte mbetur vetëm për t’u riprovuar dhe e diela e rradhës ishte data 11 nëntor. Por më përpara duheshin lajmëruar qytetarët. Nga data 5 e deri në orët e para të datës 11 nëntor, varrezat katolike të Rrmajit u kthyen në një shesh ndërtimi. Muratorë, marangozë dhe bojaxhinj punuan pa pushim për të krijuar një mjedis të përshtashëm për meshën që do të mbahej para popullit. Dhjetëra të rinj merreshin me pastrimin dhe rregullimin e hapësirave mes varrezave. Të tjerë hiqnin suvatimet e kishës së vjetër, që për 23 vite kishin mbyllur kryqet në murin e jashtëm dhe me pas i lyenin me bojë. Zef Gjoni, një nga më aktivët në këtë ngjarjeje kujton se ajo nuk ishte diçka e organizuar, por gjithçka nisi spontanisht”. Ishim një grup prej 6 vetash.

Më pas gjithçka mori rrugën vetvetiu. Ishte një sipërmarrje e cila nuk njihte frikën, pavarësisht se të gjithë ne e mendonim. Të gjithë ne, por dhe të tjerë që na ndoqën, gjatë një jave, shkonim tek kapela e kishës së Rrmajit, për ta rindërtuar. Nuk kishte lider. Gjithsecili mundohej të kryente atë punë që i takonte në mënyren më të mirë të mundshme, me qëllim që me 11 nëntor gjithçka të ishte e përsosur”. Gjatë gjithë javës organizatorët ishin në tension për sigurinë e klerikut 63-vjeçar Simon Jubani. Ai lëvizej çdo ditë në banesa të ndryshme, duke shmangur ndonjë të papritur që mund të ofronte Sigurimi i Shtetit. Çdo frikë, çdo ndjenjë pasigurie ishte larguar përfundimisht nga qytetarët, të cilët, paraditen e të dielës, më 11 nëntor u drejtuan për në varrezat katolike. Shkodranët, të cilët u përkisnin tre besimeve fetare, kishin bërë zgjedhjen e tyre që më parë, për të qenë dëshmitarë të ngjarjes më të madhe nën diktaturë. Ata që kanë qenë të pranishëm në atë meshë e mbajnë mend 11 nëntorin 1990 si një ditë të bukur me diell.

Qytetarët ishin veshur si për festë dhe nxitonin të pozicionoheshin sa më pranë kapelës ku do të thuhej mesha e shenjtë, shumë prej tyre pa ditur se nuk do të kishin mundësi të hynin as në oborrin e varrezave të tejmbushur nga ato që kisjhin ardhur të parët, por do detyroheshin ta ndiqnin ceremoninë nga jashtë vetëm përmes altoparlantëve, në të cilët ushtonte zëri i Dom Simon Jubanit. Ai u soll në kapelën e varrezave ku dhe do mbante meshën, i rrethuar nga shumë burra e të rinj, që kishin vendosur të jepnin gjithçka për ta mbrojtur. Ceremonia zgjati jo me shumë se 40 minuta. Dom Simoni ishte i përqendruar në dhënien e meshës, duke treguar një ftohtësi të admirueshme ndaj regjimit. Asnjë fjalë, asnjë falenderim, asnjë dëshirë për shtrirje dore.

Pas fjalëve të fundit ai u rrethua menjëherë nga mbrojtësit e shumtë dhe më pas largohet përmes turmave që krijojnë një korridor gjatë gjithë rrugëzës së varrezave. Çdo gjë ishte mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme. Dom Simon Jubani, lidhur me këtë ditë, në kujtimet e tij, shprehet: “Ajo ditë ishte diçka hyjnore. Ishte vetë mrekullia e Zotit se si në një hark kohor prej 35- 40 minutash, sa zgjati mesha, u arrit të thyhej ai rregjim, i cili kishte ndaluar për aq vite fenë në Shqipëri. Nuk mund t’i jap përkufizim tjetër përveç se një gjesti hyjnor.

Ishte një ditë e papërsëritshme, kur rinia shkodrane, pa dallim feje, më thirri, më mbrojti, më barti në krahë deri tek elteri, për me kremtue meshën e parë në mjedis të terrorit komunist. Shumë prej tyre, në ditët e pastajme u rrahën, u torturuan e ban disa muaj burg, përpara se të vinin ndryshimet e mëdha dhe të përmbysej përfundimisht rregjimi. Ai oqean njerëzish ishte i pushtuem nga dy ndjesi, ajo e jetës dhe e vdekjes. Seicili e ndjente veten më shumë se kurrë pranë atyre që pushojshin në paqe aty poshtë. Por kur filloi mesha, ekstaza e paprovueme prej vitesh i pushtoi të gjithë. Në atë ditë kurrkush nuk ndihej mysliman, katolik apo ortodoks. Fantazmat e përçamjes kishin marrë arratinë dhe të gjithë e ndjenjin veten bij të të njëjtit Zot”- shprehet Dom Simon Jubani në kujtimet e tij.