19
D, N
3006 New Articles

Londër, promovohen emigrantët e suksesshëm shqiptarë

AKTUALITET
Typography

Trysnia e lajmeve negative për një pjesë të shqiptarëve të Britanisë, të cilët janë përfshirë në aktivitete kriminale dhe tregtinë e drogës, si dhe prishja e imazhit të komunitetit ka shtyrë gazetën më të madhe të komunitetit, “The Albanian”

, dhe shoqatën më të madhe të tij, fituesen e “Trofeut të Artë” në Samitin e Diasporës, “Shpresa Programme”, që të promovojnë shqiptarët e suksesshëm që jetojnë në ishull.

Në një nga auditoriumet, në vendin ku u zhvilluan Lojërat Olimpike të Londrës, u promovuan në kuadër të një serie aktivitetesh të tilla, disa nga figurat frymëzuese të komunitetit, si zonja Remzie Sherifi, një nga 10 gratë më me ndikim në Skoci, gruaja emigrante e vitit, profesori i Universitetit të Bedfordshire, Shyqyri Haxha, apo sipërmarrësi Kreshnik Peka.

Mesazhi i tyre ishte se mund të jenë të suksesshëm dhe model për të tjerët, përmes punës së ndershme dhe integrimit në shoqërinë britanike.

Petrit Kuçana, drejtori i “The Albanian”, gazetës më të madhe të shqiptarëve në Britani, portali i të cilit ka mbi një milion ndjekës në median sociale, shpjegon për Top Channel arsyen e kësaj shfaqjeje.

“Ky auditorium bëhet për prezantimin e vlerave më të mira të shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar, që nga ata shqiptarë që japin leksione në universitetet britanike, apo ata që kanë fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare, duke shpresuar që kështu do të mundohemi sadopak të balancojmë lajmet e zeza që fatkeqësisht nuk janë të pakta në Mbretërinë e Bashkuar. Besojmë se në këtë mision, media ka rolin e vet dhe duhet t’iu falënderojmë juve si Top Channel që bëheni pjesë e këtij misioni për përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar”, tha Petrit Kuçana, drejtor i gazetës “The Albanian”.

Këto promovime synojnë të sensibilizojnë dhe ofrojnë një model për emigrantët e rinj që vijnë në Britaninë e Madhe, me shpresën për t’u pasuruar në një kohë të shkurtër dhe përmes rrugëve të pandershme dhe botës së krimit.