21
Sh, T
2795 New Articles

Lumi Drin, i rrethuar nga ndotësit, publikohen të dhënat

AKTUALITET
TIPOGRAFIA

Qendra e Informacionit Aarhus Shkodër, në kuadër të projektit “Roli i shoqërisë civile për të lobuar në zbatimin dhe përmirësimin e legjislacionit mjedisor në Qarkun Shkodër”, i mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian (@European Union in Albania), nëpërmjet programit ACHIEVE (#Achieve), të zbatuar nga REC Shqipëri (@REC Shqiperi), ka realizuar një sërë aktivitetesh me qëllim përgatitjen e hartëzimit të ndotësve të Lumit Drin në Bashkinë Shkodër. Nga të dhënat që kemi në dispozicion deri më tani, Lumi Drin rezulton se ka ndotës të konsiderueshëm që ndikojnë në cilësinë e ujrave të tij.

Mund të përmendim këtu:

- kollektorin e ujrave të zeza të qytetit të Shkodrës të cilët derdhen pjesërisht në këtë lum,

- mbetjet urbane të hedhura nga komuniteti në venddepozitime ilegale tek ura e Bahcallekut, tek fshati Ashtë dhe fshati Mjedë,

-venddepozitimin e vjetër të mbetjeve urbane dhe inerte në zonën e Ajasmit,

- ndikimi i ndotësve industrialë dhe bizneseve private të cilët bëjnë shkarkime te ndryshme përgjatë Drinit,

- ndikimi i Lumit Kir i cili sjell një mori mbetjesh të ndryshme nga venddepozitimi i mbetjeve tek Varrezat e Dëshmorëve,

-ndikimi me ndotje i një vendqëndrimi të përkohshëm të komunitetit Rom i cili operon në ndarjen e mbetjeve dhe hedhjen e mbetjeve të tjera te pavlera në këtë lum në zonën e Ajasmit,

- ndikimi i gropave septike të banorëve që jetojnë përreth Drinit dhe që nuk janë të lidhur me rrjetin e ujrave të zeza të qytetit,

- prurjet me mbetjet urbane dhe të tjera, të sjella nga kaskada e Drinit, në zonën e Spatharit të cilat nuërohen me tonelata çdo muaj të vitit sipas raportimeve nga Hidrocentrali i Ashtës.

Këto faktorë, bëhen edhe më ndikues në ndotjen e ujrave të Drinit në rast shfaqje të fenomenit të përmbytjeve ku edhe më shumë mbetje urbane të ndodhura përreth brigjeve përfshihen brenda shtratit të lumit dhe ku gropat septike të banesave përreth përzihen me ujrat e tij. Pikërisht gjatë muajit tetor, falë bashkëpunimit të treguar në takim me Hidrocentralin e Ashtës, është vijuar me një monitorim në terren në brendësi të territorit të dy stacioneve të këtij hidrocentrali dhe përreth tij. Nga të dhënat e furnizuara nga ky hidrocentral rezulton që prurjet e mbetjeve urbane dhe barishtore që vijnë nga kaskada e Drinit deri në Spathar janë shumë të larta.

Tabela e mëposhtme paraqet informacionet zyrtare të Hidrocentralit të Ashtës në lidhje me sasinë e mbetjeve që ata grumbullojnë çdo muaj dhe për dy vitet e fundit. Tabela treguese

Viti 2015 Janar 7,8 ton mbetje urbane dhe barishtore, Shkurt 6,5 ton , Mars 3,6 ton , Prill 1,5 ton, Maj 2,6 ton, Qershor 6,5 ton, Korrik 15 ton, Gusht 6,8 ton, Shator 49,7 ton, Tetor 111,7, Nentor 1,9 ton, Dhjetor 4,6 ton

Viti 2016 Janar 20,2 ton mbetje urbane dhe barishtore, Shkurt 7,6 ton, Mars 1,08 ton, Prill 3,4 ton, Maj 12,2 ton, Qershor 3,7 ton.

Per muajt e tjere te ketij viti ende nuk kemi te dhena. Po ti referohemi tabelës, shifrat janë alarmante. Përveç faktit që ata janë shumë të larta, ërehet edhe një rritje shumë e theksuar e sasisë së mbetjeve të grumbulluara nga viti 2015 në vitin 2016 për çdo muaj të vitit. Bëjne përjashtim vetëm muaji mars dhe qershor i këtij viti ku shihet një rënie e sasisë së mbetjeve. Ndërsa gjatë monitorimit në terren perreth hidrocentralit vumë re që zonat më problematike të ndotjes me mbetje urbane dhe të ngurta ndodheshin në argjinaturën e Mjedës dhe në Argjinaturën e Ashtës, ndotje këto të shkaktuara nga vetë banorët e fshatrave me të njëjtin emër. Argjinatura e Mjedes, duke mos qenë nën kontrollin e vetë hidrocentralit, është kthyer në pikë vend-depozitimi të mbetjeve nga fshati ngjitur. Ajo që duket edhe më shqetësuese është se ndotja urbane prej dy vitesh ka filluar të ndodhë edhe brenda territorit të hidrocentralit në stacionin e dytë të tij raporton Drejtori i Mjedisit të hidrocentralit. Nga monitorimi në terren ne vërtetuam fjalët e tij duke hasur gjatë gjithë gjatësisë së argjinaturës grumbuj mbetjesh të ngurta, mbetjesh urbane, mbetjesh të djegura, mbetjesh organike etj. Nëse flasim për situatën globale të ndotjes së Lumit Drin në Bashkinë Shkodër, nga të gjitha të dhënat që kemi grumbulluar deri më tani, keqmenaxhimi i mbetjeve urbane dhe inerte si dhe mungesa e ndërgjegjësimit komunitar rezultojnë ndër faktorët më me impakt në cilësinë e ujrave të tij. Monitorimi në terren është menduar të përsëritet në periudhë reshjesh në mënyrë që të kemi (në rast se do të ketë) një krahasim të dhënash sipas periudhave të ndryshme. Raporti eshte publikuar ne muajin tetor 2016