19
Sh, G
2658 New Articles

Shihemi nesër!?/ Nga Desantila Vatnikaj

e-BIZ
TIPOGRAFIA

Une jam këtu sepse ka shume kilometra qe dua t’i bëj me ty.

Sepse ka mesazhe te pashkruara e premtime të pathëna. Ka ende data të parrethuara në kalendar, ka përvjetore që presin t’i shuhen qirinjtë, ka netë pa gjumë që duan të na mbështjellin. Unë jam këtu sepse akoma nuk e di se si është të drekosh me ty në një ditë të dielë, në periferi, në pranverë, me diellin që puhizën e lumturisë e jep drejt e në tavolinën e shtruar Jam këtu sepse ende nuk kam provuar ankthin e pritjes së një lajmi të rëndësishëm tëndin, sepse dua të ndash me mua gëzimin dhe hidhërimin e atë castin e vogël të etjes time për të të treguar se jam promovuar në punë.

Jam këtu sepse ka ende shumë filma që dua të shoh, ka pafund libra që dua të lexoj, ka këngë që dua t’i dëgjoj me ty, ka mëngjese që dua t’i zgjoj me ty, sepse ka shumë gjëra që dua t’i tregoj njerëzve për ty… Unë jam ende këtu sepse bota ka nevojë për ty! Sepse nuk kam qënë kurrë në Paris, Japoni apo Australi, sepse ka shumë cepa që jeta ende smë ka përplasur me to. Sepse ka edhe një vjeshtë tjetër që ende nuk ma ka njohur buzëqeshjen e artë.

Ka shumë histori e shkrime që unë ende nuk i kam hedhur në letër, sepse ka emocione që ende nuk i kam provuar, akoma nuk e di se si është të kapërdish hatërmbetjen tënde e pajtimin e ëmbel pas saj, sepse unë nuk e di se sa mund të vrasë mungesa jote për të të përqafuar fort pasi të të shoh. Ende nuk të kam thënë se sa të vlerësoj, prandaj jam këtu… Sepse kam nevojë të jem këtu, sepse dua të jem këtu, sepse thellë në shpirt, meritoj të jem këtu!

Unë jam këtu sepse lumturia ekziston, e për aq kohë sa ajo të ketë jetë, unë dua ta ndaj me ty. Sepse ka akoma ditë me shi që unë nuk i kam parë me ty prej xhamit të dhomës që mban aq ngrohtësi. Ka ende shumë stinë që nuk i kam veshur me ty, shumë fotografi të pashkrepura e një album bosh në pritje të tyre. Unë ende nuk t’i njoh momentet e tua të lumturisë, akoma nuk e di se si duhet të sillem me ty kur ti të mërzitesh, e se cfarë ngjyre merr shpirti yt kur është plot…

Në cfarë ore të zgjohen ëndrrat?

Sa shpejt ecin gjurmimet e tua drejt tyre? Sa pikëpyetje të tjera kam që më duhet kohë t’i jap formë.

Shpresoj të gjesh një arsye për të qëndruar…

Shihemi nesër!?