23
Sh, SH
2745 New Articles

Myfarete Laze: Më përjashtuan nga festivali, si e binda Ramiz Alinë të rikthehesha

KULTURE
TIPOGRAFIA

Këngëtarja e mirënjohur, Myfarete Laze, na rrëfen shumëçka mbi jetën e saj, vështirësitë për të kënduar në festivale, dashurinë për Shkodrën, familjen dhe punën pranë Drejtorisë së Burgjeve, me gratë dhe vajzat e dënuara

. Ajo na rrëfen mes të tjerave me sinqeritet edhe historinë interesante se si e përjashtuan nga Festivali i Këngës në RTSH pasi këndonte si këngëtarja franceze Mirel Matje dhe se si arriti të bindë Ramiz Alinë në Komitetin Qendror për tu rikthyer në festival

 

 

 

Intervistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Myfarete Laze është ndër zërat më mbresëlënës të festivaleve shqiptare. Me zë të jashtëzakonshëm, timbër dhe vibrato jotipikë e të dëgjuar në ato vite, Myfarete Laze fitoi zemrën e publikut, duke marrë mjaft çmime dhe duke interpretuar këngë që janë, ende, hite! Dikur, arsimtare e gjuhës dhe letërsisë, sot, punon pranë Drejtorisë së Burgjeve, ku përmes artit, lufton të lehtësojë dhe zbukurojë jetën e grave dhe vajzave të dënuara. Grua shumëdimensionale, që rrëfen për jetën e saj, ekskluzivisht, për Albanian Free Press.

 

 

 

Ju keni studiuar muzikë qysh në shkollë të mesme, në vendlindje, në Shkodër. Më tregoni diçka më shumë.

 

Shkolla e mesme, “Prenk Jakova”, ku unë studiova për kanto, ishte shkollë ku hyje me konkurs, pra, duhet të fitoje. Ka qenë kohë vendimtare dhe formuese për të ardhmen time. Imagjinoni, në diplomë kam kënduar arie të njohura, “Kastadiva”, arien e “Madame Butterfly”, romancat shqiptare. Kantoja lirike ka qenë pasioni im, kam qenë soprano dramatike mjaft e talentuar, siç më thoshin pedagogët.

 

Po më pas, erdhi konservatori?

 

Kur shkova në konservator, nuk e fitova. Profesori im i përkushtuar, Ferid Bala, erdhi u interesua, se pse nuk e fitova konkursin. Isha përgatitur me profesor të shquar si Ramiz Kovaçi, i cili ishte shumë entuziast.

 

Deri në atë kohë, nuk kisha informacion për biografinë time. Më pas e mora vesh se kisha shkuar drejt konservatorit si Zapata, me rreth të kuq. Profesori erdhi në shtëpi dhe i tregoi babait se nuk isha pranuar për arsye të tjera, jo prej  vokalit.

 

Nga ky “dështim” lindi ideja e profesorit të kantos, i cili më tha ta ktheja zërin nga soprano, në zë “gjoksi”. Më tha se kisha impostim, frymëmarrje dhe teknikë po ashtu. Isha e kompletuar për këngën e muzikës së lehtë. Prej këtej rrodhi, ardhja ime në festival.

 

Nga një “dështim” erdhi një sukses?

 

Në vitin 1979, ka qenë festivali im i parë, më regjistroi Osman Mula, ishte shok me tim vëlla i cili i thotë me merakun e një vëllai: “Mos ma merr Myfareten në festival, se është mërzit se nuk i doli shkolla e po nuk e pranuan në festival, do të goditet për herë të dytë.”

 

Unë erdha në festivalin e këngës, hyra në konkurs dhe e fitova. Dola me shumë sukses, por, në natën e tretë, mu mbyll dera. Të gjithë pjesëmarrësit hynë, unë jo.

 

Cila ishte arsyeja?

 

Eh! Duhet të paraqitesha në Komitet Qendror, tek Ramiz Alia. Kishin ardhur letra, prej Sarandës madje, ku thoshin se këndoja si Mirel Matje, si franceze. Të betohem se, në atë kohë, nuk e njihja këngëtaren e madhe franceze! Njihja mjaft këngëtarë italianë. Isha rritur me “Canzonissima”, “Carosello”, me Hit Parade, -  i ndiqnim çdo të shtunë dhe të diel. Më kujtohet, edhe sot, Raffaella Carra, shumë e re, me Pippo Baudon. I shikonim tinzash. Vendosnim batanije nëpër dritare në Shkodër, që mos të pikaseshim nga jashtë.

 

Në Komitetin Qendror më folën për biografinë time e për zërin si franceze. Profesor Çesk Zadeja, fatmirësisht, kishte folur shumë mirë për mua! Ramiz Alia më pyeti, nëse kisha dëshirë të këndoja në festival. Sigurisht, iu përgjigja se kisha dëshirë të madhe. “Por ti këndon si franceze”, - më tha.

 

Me naivitetin e moshës, i them: “Me më pyet për këngëtarët italianë, të tërë i njoh, se më ka mësuar baba italishten, por këtë këngëtaren franceze, nuk e njoh.”

 

E duket se kjo përgjigje e çarmatosi, ndaj shpëtova. Arrita në tri këngët e fundit, të natës finale. Fitova çmim, por përsëri nuk më lanë të këndoj në këngët fituese. Punë e madhe! Unë kisha marrë çmim! Kisha kënduar me Vaçe Zelën!

 

Në fakt, ju keni kënduar, në ato vite, bashkë me kolosë të këngës.

 

Po, e vërtetë. Kam kënduar me Vaçe Zelën, Gaqo Cakon, kam kënduar këngë të Limoz Dizdarit, Kujtim Laros, Tish Daisë, Agim Prodanit. Kam pasur, vërtetë fat, dhe, nga ana tjetër, mendoj se e kam menaxhuar mirë jetën time artistike.

 

Sa rol, në këtë fat, ka luajtur vendlindja, Shkodra?

 

Rol madhor! Aty këndohej përditë dhe kudo. Kishte disa komplekse muzikore, këndohej kënga popullore qytetare dhe ajo e lehtë apo jazz. Kishte kompleks muzikor në Kafen e Madhe, në lulishte, kudo. Këndohej në verë dhe në dimër, Shkodra kishte një qytetari krejt tjetër. Kishte formacione muzikore me violinë, saksofon, fizarmonikë, oboi, klarinetë. Shkodra vlonte nga jeta artistike! Mos harroni se unë shkova në festival, por shkova nga Shkodra ku kisha marrë formim muzikor. Çdo gradë shkollimi që s’ma dha Tirana, ma dha Shkodra. Në shkollë të mesme, hyra me një muaj vonesë se nuk më pranonin. Më pas, Tirana nuk më dha konservatorin, por Shkodra më dha të drejtën e studimit për  Gjuhë–Letërsi Shqipe, edhe me dy muaj vonesë. Pra, Shkodra e ka mbështetur gjithmonë bijën e vet!

 

Kam pasur fat, sepse njerëzit që drejtonin kulturën, pavarësisht sistemit të egër, kishin qytetari! Në Shkodër ishin, gati, të gjithë me biografi të keqe. Por kishte frymë tjetër. Nuk thuhej në Shkodër, njerëz me biografi të keqe, thuhej, zotnitë që nuk i do Enveri.

 

U afrove me festivalin e këngës, në një periudhë të artë. Si kanë qenë marrëdhëniet me koleget?

 

U rrita në Shkodër; Shkodra të rrit pa komplekse. U rrita me fioriturat e bukura të Big Ndojës, të Florinda Gjergjit, të Xhodë Hafizit, të Valdete Hoxhës, Ibrahim Tukiçit, por edhe mes këngëtarësh të mrekullueshëm si Bashkim Alibali, Frederik Ndoci, Eduard Jubani, Violeta Zefi, Mukadez Canga, Shpresa Rranxa. Ishte një plejadë këngëtarësh të muzikës së lehtë!

 

E kam nisur që në kopsht këngën. Në klasën e tretë fillore, mora çmim të parë në festivalin e këngës për fëmijë. Pastaj, 13 vjeçe, përsëri një çmim të parë, me një këngë të Zef Cobës në festivalin e Këngës Qytetare Shkodrane. Nuk i jam ndarë, kurrë, botës së çmimeve dhe këngës! Në festivalin në RTSH, nuk isha e rastësishme. Por që të këndoja me Vaçe Zelën, nuk ma kishte marrë mendja asnjëherë!

 

Është fat i madh, kur punon me partnerë të mrekullueshëm, me kompozitorët dhe poetët më të mirë. Kur këndon me Gaqo Cakon, Ema Qazimin, Tonin Tërshanën, Irma Libohovën, Luan Zhegun; do të thotë se ke qenë, siç e quajmë në Shkodër, “piazza”!

 

Formimin muzikor ma dha Shkodra, në Tiranë ishte ndryshe. Ishin kolosët e muzikës, që na konsideronin një nivel më poshtë, pavarësisht se nuk vinim nga hiçi. Nuk këndonte Vaçe Zela me këdo, ajo zgjidhte. Mua nuk pati kohë të më zgjidhte, se më zgjodhi Agim Prodani dhe ajo më pa vetëm në provë. Por faleminderit Vaçes, sepse e njohu talentin dhe më vlerësoi.

 

Ju jeni kaq e shkathët dhe alegro në karakter. Ju ka ndihmuar kjo?

 

Kam pasur natyrë mjaft të gjallë, të shkathët. E kërkoja këngën. Në gjashtë vitet e para, e kërkoja këngën e mirë e të suksesshme. “Udhët e atdheut”, “Lamtumira”, “Nusja e maleve” etj. Janë mbi 13 çmime, vetëm në Tiranë. Nuk ishte aspak e lehtë, sepse kishte dhe bërryla, këngëtaret e njohura bënin lojë pak të rëndë, - e kam fjalën për konkurrencën. Por, në ato vite, fjalën e kishte kompozitori. E mua kompozitorët më vlerësuan gjithmonë. Kompozitori ishte forcë në ato vite. Poetët, gjithashtu.

 

Pas shumë sukseseve, ritmet e punës tuaj ranë. Ju rëndoi kjo gjë?

 

Aspak, sepse linda fëmijët dhe duhet të merresha me to. Më pas, erdhën vitet ’90, dhe gjërat u vështirësuan për artistët. Njerëzit ishin tepër të hallakatur. Mos harroni edhe aspektin ekonomik. Pavarësisht se janë kohë që kurrë mos u kthefshin, në vitet para ’90, kishte respekt për artistët dhe trajtim të veçantë! Unë isha arsimtare, por edhe pjesë e lidhjes së shkrimtarëve. Merrja pjesë në festivale dhe aktivitete. Më pas, këto aktivitete ndryshuan ose nuk zhvilloheshin më.

 

Më pëlqen teksa shoh se ju keni vlerësim për veten dhe kolegët

 

Me humor ju them se, kam qenë edhe pak “mendjemadhe”. E kam dashur, respektuar dhe vlerësuar shumë veten, sepse e kam pasur edukatë prej babës. Ai, kur me dëgjonte të flisja me fjalën NE, më thoshte: “Myfaret, du me të mësu nji diçka. Në tanë botën, kemi nji diçka të përbashkët. Zgjedhimi i foljeve fillon me UNË. Unë jam, ti, mandej AI, AJO. NE? Yhyyyyy, sa larg është! Pse mor babë, ma kalon tek NE. Vetëm ti je, mbas teje!” Kjo gjë mu bë edukatë. Që të duam të tjerët, duhet të duam veten.

 

Babai juaj ishte një zotëri i shkolluar në Itali. Çfarë kujtoni tjetër prej tij?

 

Babën e kam dasht shumë, e kam adhuruar! Kishte kulturë, ishte shkolluar për ekonomi-financë në Firence. Ai, në klasë të tetë, më ka dhënë të lexoj “Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve” e më thoshte lexoje, kjo është jeta. Ka pasur vlerësim të jashtëzakonshëm për femrën. Tepër përparimtar për kohën. Ai na thoshte se, femra të këqija nuk ka. Femra më e keqe, thoshte, e don fëmijën e vet. Burri ia merr gruas e fëmijëve dhe e han me të huajt. Për me sha një grua, duhet me pa çfarë ka pas, me kë ven kryet në dyshek. Se ka burra që ndoshta ja përplasin kryet pas murit. Nuk dinë ata të falin përkëdhelje. E një grua vetëm përkëdhelje kërkon, e po i ka, të fal shpirtin! Ja, këto më mësonte baba. Për babain tim, femra ishte e shenjtë, sepse ishte e fortë, di të dashurojë, të mbajë shtëpinë, të mbajë fëmijët, bëhet gjyshe, rrit dhe fëmijët e fëmijës. “Gruja ta fut krahun e të jep drejtimin në rrugën e jetës, po na mashkujt nuk e kuptojmë!”-thoshte im atë.

 

Ju keni dy vajza. Nuk zgjodhën rrugën tuaj. Ju ka mërzitur kjo?

 

Jo! Jeta a artistit është e bukur, por ka ulje ngritje të shumta, që të vrasin shumë shpirtërisht. Por janë ulje ngritje që më kanë bërë më të fortë. Unë kam punuar në Stërbeç, në Hajmel, ecja 1 orë e gjysmë në këmbë kur punoja si arsimtare në fshat. Festivali më shpëtoi, por jam më e fortë!

 

Sot, vajzat kanë profesionet e tyre, janë në shtëpitë e tyre. Mungesën e vajzave e kam ndjerë shumë, shpirti më dhemb që nuk i kam më në shtëpi, me mua. Kur e kam menduar që do ti martoj vajzat, më ka rënduar shumë shpirtërisht! Por mbesa ime, 9 muajshe, ma ka kënaqur shpirtin!

 

 

 

Sot, ju gjej në Drejtorinë e Burgjeve, ku ju punoni. Jeni përpjekur shumë për gratë e burgosura. Si është të punosh mes tyre?

 

Është një dimension i jashtëzakonshëm shpirtëror! Kemi bërë 7 ekspozita pikture, panaire, janë krijuar grupe polifonike, muzikore. Jam e kënaqur që u falim, sadopak, gëzim në jetën e tyre. Jetët e grave të burgosura, kanë drama të mëdha. Jo gjithmonë jeta ka qenë bujare me to. Shumë prej tyre janë detyruar të kryejnë një krim. Ato e meritojnë shpresën! Kam qenë gjithmonë e mendimit se, sikur vetëm njëherë të ndihet njeriu i nderuar, nuk do të gabojë më lehtësisht!

 

Sa bukur është që, e madhja, Tinka Kurti të festojë 80-vjetorin në burgun e Peqinit! Sa bukur të shikoje të burgosurit që e thërrisnin “Nënë Pashako”, nga kangjellat!

 

Jemi drejt hiteve të verës. Një mendim për këngëtarët e rinj.

 

Nuk i paragjykoj këngëtarët e rinj. Madje, ata janë më të pafajshmit, sepse janë në kërkim të vetvetes. Ata falen komplet! Por ata që e bëjnë me qëllim dhe i veshin me atë lloj muzike, ata po, kanë faj! Por përsëri nuk mund t’i shaj, për ta mbushen klubet! Ka 27 vite që jepen në TV antivlera, e kanë krijuar këtë brumë, ngrihen në piedestal antivlerat dhe, sigurisht, këtë situatë do të korrnim.

 

Ju jeni nga të paktët këngëtarë që nuk keni kënduar në dasma, klube e lokale, nuk keni ndërruar zhanër. Pse kjo zgjedhje?

 

Unë kam pasur kosto për këtë, por që më ka vlejtur shumë! Kam fituar gjënë më të madhe! Ua kam thënë edhe vajzave të mia: “Arti im është i shenjtë! Kur unë kam sakrifikuar anën ekonomike në artin tim, për të ruajtur të pastër figurën e këngëtares, mos ma ulni kryet për një kafe.”

 

Dhe kam fituar shumë! Sot kam dy vajza shumë të mira dhe jam krenare për to! Kanë punuar me mbajt veten, që në vit të parë fakultet, - i kam edukuar me shkollë dhe punë. Vajza e vogël, edhe pse është mjaft e re, ka dhjetë vite punë. Kjo është jeta, ndaj kështu mendoj se duhet të jetë.