21
Sh, T
2795 New Articles

Një grua që mendohet…

KULTURE
TIPOGRAFIA

E veshur me veshje popullore të kohës, një grua mendohet. Fotoja e shkrepur nga një fotograf austriak do të fokusohej më vonë në një kartolinë që për vite me radhë do udhëtonte kudo.

Fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillimi i shekullit të njëzetë është edhe koha kur Shqipëria u fut në kartolina. Një ndër koleksionet më të bukura të kartolinave  shqiptare  është ai i një autori austriak realizuar në zonën e Shkodrës. Por vitet më të mira për kartolinat shqiptare filluan pas viteve 1910-1915 e më vonë, sidomos në vitet tridhjetë, kur pati një kulminacion kartolinash shumë prej të cilave kanë arritur të mbijetojnë deri sot. Këto kartolina shtypeshin jashtë sigurisht, shumica ishin të teknikës bardhë e zi. Kartolinat e para mendoj se janë shtypur në Turqi. Tematika e tyre përqendrohej në kostumografinë shqiptare të kohës.

Më pas  kartolinat nisën të shtypeshin në Austri, Itali, në Kostancë të Rumanisë, kudo ku kishte shqiptarë dhe shoqata shqiptare, madje edhe në Amerikë. Autorët ishin shqiptarë ose të huaj. Ndërsa tashmë teknologjia dhe mjetet e informimit kanë arritur majat, duke e realizuar komunikimin në kohë reale, shumëkush prej nesh, sidomos ata të brezit të dytë dhe të tretë ndjejnë mungesën e letrave e kartolinave që shkëmbeheshin mes njerëzve që ishin larg njëri tjetrit. Një urim për ditëlindje, për vit të ri, një kartolinë me panorama nga vende të ndryshme apo me foto të ngjarjeve apo personazheve historike përbënin për shumë njerëz një kënaqësi të veçantë që dukej sikur u jepnin më tepër gjallëri festave.

Në ditët e sotme shumëkush përdor mjetet e avancuara teknologjike por dhe rrjetet sociale për të shkëmbyer urime, por, të gjithë ne e dimë që emocionin më të madh të gjithë ne e marrim më të ndjerë kur marrim një kartolinë fizike në të cilën është ngjitur dhe pulla postare. Vitet kalojnë dhe janë pikërisht këto kartolina të cilat mbartin dhe dëshmojnë në vetvete copëza historie.