18
Mer, T
2793 New Articles

Motra e Kadarese: Pse shpiku Ismaili “semundjen mendore”

KULTURE
TIPOGRAFIA
“Ismaili nuk kishte mënyrë tjetër të më mbronte, përveçse duke sajuar historinë e sëmundjes mendore”. Kështu është shprehur Kadria, e motra e shkrimtarit Ismail Kadare, pas botimit të letrës që i vëllai i dërgonte Enver Hoxhës, në prill të vitit 1980.
Sipas saj, i vëllai u detyrua t’i shkruante këtë letër diktatorit për ta shpëtuar nga ndonjë dënim i mundshëm, në atë valë dënimesh të asaj kohe. Letra e Ismail Kadaresë, që bëri bujë në media gjatë orëve të fundit, duket se nuk është asgjë e re as për Kadrie Kadarenë e as për shkrimtarin Ismail Kadare.
Rrethe konfidenciale të të dyve e dinë këtë histori prej më shumë se një viti më parë, kur shkrimtari vetë e ka përmendur në tavolina të ndryshme të vërtetën e letrës: “Po, e kam bërë për ta shpëtuar!”. Sikurse arsyetohet edhe prej leximit të letrës së Kadaresë dërguar Enverit, qëllimi është i qartë”.
Vetë motra e Kadaresë, Kadria, asnjëherë nuk ka pranuar të bëhet pjesë e medias, mirëpo frekuentimi i rretheve të gazetarëve, për të, është i pashmangshëm. Prej një jete ka punuar e punon si redaktore në media të ndryshme, prandaj edhe bisedat me ta, edhe për shkak të karakterit të saj deri diku shpërthyes, janë të paevitueshme.
Biseda më e fundit e saj, me ata që ka pasur e ka kolegë, ka qenë pikërisht rreth çështjes së letrës. Përse e ka dërguar Ismail Kadare atë letër tek Enver Hoxha?! Çfarë donte të tregonte?! Kadrie Kadare, apo siç të gjithë e njohin me emrin Kakuja, është e bindur për të vërtetën dhe këtë nuk ngurron ta thotë gjithandej në rrethet e saj të takimeve, sado që për median është e vendosur të mos japë asnjë deklaratë zyrtare.
“Më kanë thirrur në hetuesi pikërisht në kohën kur ishte vala e arrestimeve të ruseve. Njërës prej tyre i kishin gjetur një autograf me emrin tim dhe kaq duhej për të mbërritur tek unë. Ismaili nuk kishte mënyrë tjetër të më mbronte, përveçse duke sajuar historinë e sëmundjes mendore”.
Siç bashkëkohësit e dinë, Kadrie Kadare, si antikomuniste e thekur, nuk i kursente fjalët “e tepruara” antiregjim.
Shpeshherë nuk zgjidhte as vendet ku i thoshte. Prandaj edhe vijimi letrës së shkrimtarit shkruan se “ajo është vetëm një maniake depresive, që i shan të gjithë!”.
DOSJA
Sipas ish-drejtorit të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Kastriot Dervishi, në vitin 1978, Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë, mbi bazë të një denoncimi, çeli dy probleme të centralizuara: “Shtrigat” dhe “Krokodili”.
Në thelb të këtyre çështjeve ishte emri i Enver Hoxhës, i zënë me gojë në mënyrë të ashpër edhe për pederastinë e tij nga disa prej personave të implikuar. Çështja përfundoi me disa burgosje, këshillime dhe me një vetëvrasje.
Pjesë e dosjes me emrin “Shtriga” ishte edhe Kadrie Kadare. Sipas Dervishit, përmes dosjes bëhet e njohur se “Kadrie Kadare, lindur më 1937, në Gjirokastër, pedagoge në ILB Kamzë, u vu në përpunim paraprak më 15.7.1978.
Më parë ishte marrë në përpunim aktiv 2A, më 3.11.1976, fillimisht si “agjente e mundshme” në shërbim të zbulimeve të huaja e më pas iu ndryshua tendenca në agjitacion e propagandë, më 4.2.1977.
U këshillua më 3.8.1978. Megjithatë, vazhdonte të bënte agjitacion e propagandë sepse “flet shumë ashpër kundër udhëheqësve të Partisë e të shtetit”. Fjalët e saj ishin, ndër të tjera: “Shteti harxhon valutë për të përkthyer veprat e Enver Hoxhës për t’i botuar jashtë, por bota nuk pyet për to. Vëllai im ia ka hedhur Enver Hoxhës dhe ai është i zoti. Po ndërroi situata, do të mbretërojë me librat e tij”