18
Mer, T
2793 New Articles

Le Figaro (30 Nëntor 1912)/ Ismail Qemali letër Markezit të San-Giuliano-s, të njohë Pavarësisë së Shqipërisë

KULTURE
TIPOGRAFIA

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Gusht 2017

Gazeta prestigjoze franceze, « Le Figaro », ka botuar të shtunën e 30 nëntorit 1912, në faqen n°2, shkresën diplomatike të Ismail Qemalit drejtuar asokohe Antonino Paternò – Castello-s (1852 – 1914), Markez i San – Giulianos dhe ministër i jashtëm i Italisë.

Çfarë kërkonte udhëheqësi shqiptar ndaj zyrtarit italian ? Në vijim do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu « Dars (Klos), Mat – Albania » :

Romë, 29 Nëntor

Kryeministri i qeverisë së përkohshme të Shqipërisë, Ismail Bej Qemali, i ka dërguar Markezit të San Guiliano-s, shkresën në vijim :

« Asambleja Kombëtare, e përbërë nga delegatë të të gjitha trojeve shqiptare, pa dallim feje, e mbledhur sot në qytetin e Vlorës, sapo shpalli pavarësinë politike të Shqipërisë dhe formoi një qeveri të përkohshme përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave dhe ekzistencës së popullit shqiptar – i kërcënuar me shfarosje nga ushtria serbe – si dhe përgjegjëse për çlirimin e tokës kombëtare të pushtuar nga ushtritë e shteteve aleate.

Duke i sjellë në vëmendje Shkëlqesisë Tuaj rrëfimin e sipërm, kam nderin t’i lutem Qeverisë së Madhërisë së Tij Mbretërore që të njohë këtë ndryshim politik jetësor të Kombit Shqiptar.

Shqiptarët, duke u bërë pjesë e familjes së popujve të Evropës Lindore për të cilën janë krenarë si paraardhës të saj dhe duke ndjekur vetëm një qëllim, të jetojnë në paqe me të gjitha shtetet ballkanike e të jenë element stabiliteti, janë të bindur se qeveria e Madhërisë së Tij Mbretërore dhe e gjithë bota e qytetëruar do t‘u rezervojnë atyre një mikpritje të ngrohtë duke i mbrojtur kundër çdo sulmi të ekzistencës së tyre kombëtare dhe kundër çdo copëtimi të territorit të tyre. »

 

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/le-figaro-30-nentor-1912-shkresa-e-ismail-qemalit-drejtuar-markezit-te-san-giuliano-s/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.