25
H, SH
2759 New Articles

Deda:Me Çarli Çaplin që 25 vjeç e admiroja, më shfaqej në ëndërr

KULTURE
TIPOGRAFIA

Nga Xhahid Bushati

Artist i Merituar, Zef Deda, vetëm nëpërmjet humorit i ka thënë lamtumirë “trishtimit”. Ishte humori shkodran, “ushqimi i ditës”, - siç e quan ai,- që nuk e lë të plaket, por e rinon çdo ditë. Dhe Zefi e çmon humorin e vendlindjes. Për të thotë: “Shkodrani mund të hajë një herë bukë në ditë, por humorin e do në tre vakte”.

Kur bisedon me artistin Zef Deda, e kupton menjëherë, që edhe sot e kësaj dite i ka mbetur peng që  s’iu dha mundësia të interpretojë kopracin Harpagon, ndonëse lojën brilante të aktorit Zef Jubani e ka parë dhe e ka skalitur në kujtesë. Por, siç thotë përsëri Zefi:  “Shpesh dëshira nuk përkon gjithmonë me mundësitë reale”.

Bisedën me artistin Zef Deda, kësaj here, më shumë e përqëndrova në largësinë e viteve, atëhere kur aktori përballej me rrugën e vështirë të artit. Dhe, Zefi duke kuptuar dëshirën time, herë pas herë më “ndihmonte” duke rrëfyer ndonjë sekret e duke thirrur nga largësia e viteve edhe plot kujtime…
Një kujtim mes shumë kujtimeve… Zefi si imitues…

“Në vitin 1969, nisa punën si tornitor në hidrocentralin e Vaut të Dejës, që po ndërtohej në atë kohë. Punova dy vjet. Gjatë kësaj kohe m’u mësua veshi me zhurmat e makinave të fuqishme që lëviznin papushim, si: buldozera, motorra e motoçikleta të ndryshme. Nisa të imitoj zhurmat e tyre të veçanta. Bile, edhe boritë e makinave, edhe mënyrën e ndezjes e të fikjes së tyre. Bashkë me to, nisa të imitoj edhe radion, kur hapej, zhurmat e saj, vibracionet. Këtu më lindi mendimi të imitoj edhe gjuhët e huaja.”

Në gjurmët e një shkrimi…
Gazetarja dhe prozatorja Ludmilla Pajo gjatë një interviste me Zef Dedën dhe Rita Ndocin, e pyet Zefin: - Cili ka qenë njeriu i parë që keni imituar?
Zefi i përgjigjet: “Njeriun e parë që kam imituar ka qenë Drejtori i kinoklubit të hidrocentalit. Për mungesë të daktilografistes, ai i shtypte vetë materialet për programet tona artistike.

Unë duke dashur të imitoj zhurmën e makinës së shkrimit, nisa ta imitoj edhe atë vetë. Me këto kam dalë në skenë për herë të parë, para shokëve të mi punëtorë të Vaut të Dejës. Pastaj… gradualisht jam rritur profesionalisht, duke ndjekur mjeshtrit e skeçit dhe të penës.

Njëkohësisht, për interpretim sa më me logjikë të figurës artistike, ndiqja edhe aktorët e teatrit “Migjeni”. Kështu pak e nga pak nisa të luaj skeçe deri tek njëri nga të fundit, ai që shpejt u bë i njohur dhe popullor me titull: “Kunati i shokut Xhemal”. Aq sa, si atëherë edhe tani, shpesh në rrugë më përshëndesin: “Tungjatjeta, kunati i shokut Xhemal!”[1]

INTERVISTA IME…
-A ka “tragjizëm” fëmijëria e Zef Dedës?


*Më lejoni t’ju paraqitem: Kam lindur më 27 korrik 1950 në lagjen Fushë-Firej, në Shkodër. Jam i biri i Pjetër Dedës. Për babën do të flas më vonë. E ka radhën gjyshi, Dedoka.

Dedoka ka pasur nje kafe në Gjuhadol. Ka qenë i njohur për kafenë që ka bërë. Në atë kafe mblidheshin, përveç klientëve të tjerë, edhe një grup që ishin të përditshëm e që në gene u vërshonte gjak artisti. Bënin humor, sepse edhe vetë Dedoka bënte humor, sepse nga natyra ishte i këndshëm dhe i binte dhe klarinetës, ndaj u bënte edhe muzikë...

Në Shkodër ka qenë zakon, dhe ky zakon nuk është shuar edhe sot. Të pyesin: “I kujt je? Po emri i gjyshit?” Dhe unë Zefi, njashtu si Zefi, krenohesha me Dedokën dhe me babën tim, Pjetrin. Tani për babën Pjetër. Ishte artist. Bënte më tepër portrete, nuk përjashtohen edhe pejsazhet. Me siguri, dhe nuk gaboj po të them se, shumë shtëpi shkodrane kanë kujtime nga peneli i babës tim. Dikush ka një babë, dikush një nënë, ndonjë gjyshe, një tjetër hallë. Veprimtaria e tij lë gjurmë në kishën e Françeskanëve, në kishën e madhe, në shtëpinë e kulturës, në teatrin “Migjeni”. Eh, sa kujtime!.. E pamundur të numërohen…

Si nxënës në shkollën e Françeskanëve, baba Pjetër rritet me halle e me njëmijë mundime. I ati vdes herët. Ndërsa unë isha 7 vjeç, kur më vdiq baba, Pjetri. Derdha lotë për të. Të gjithë e donin. Çuditërisht nuk kuptoja një gjë: çfarë kishte ndodhur në familjen tonë, të varfër ekonomikisht, tamam si në poemat migjeniane!?

Shpesh në vetmi, si në refren, pyesja veten: “Cila qe pazotësia e prindërve të mi, apo prindërve të prindërve të mi, që të gjithë na lanë tepër të mjeruar, të lodhur..?!” Do ta merrja vesh më vonë, kur të rritesha…

Por kishte njerëz që me buzëqeshjet, dashamirësinë e tyre, mundoheshin të më “zbusnin” varfërinë. E këta ishin artistët që e kishin respektuar babën tim, si: Zef Jubani, Tinka Kurti, Antoneta Fishta, Vitore Nino, Lec Prendi, Adem Kastrati, Hasan Smaja, Tano Banushi etj.

Nisën të më aktivizojnë...
zef deda

Nis kështu  rruga drejt skenës. Një trokitje e lehtë, e ndrojtur… dhe si një kujtim i afërt dhe i largët të shfaqen gjurmët e babait, apo jo Zef?
Siç duket panë tek Zefi pak shkathtësi, lëvizshmëri e mprehtësi. Edhe më tej. Një dritë në vazhdimësi të genit familjar. Edhe unë si gjyshi, si baba, nisa të “bëlbëzoj” humor…

Të rikthehemi te skena. Drama e parë është “Kunora e Nurijes”. Është viti 1957. Interpretoja rolin e një fëmije në një grup pak a shumë moshatarësh, që në breg prisnin lundrat dhe mezi prisnin të pastronin rrjetat. Më pas “Bujtina e të varfërve”. Isha në rolin e më të voglit. Vëllain e kisha memec, kurse motrën të bukur, të rritur por të verbër.

E interpretonte Roza Xhuxha. Më pas te “Shtatë shaljanët”. Kisha rolin e një xhuxhmaxhuxhi, më i afërti i Vezirit. I sillja jastëkun për t’u mbështetur, apo kur vinin miqtë i mbushja kamishin me duhan. Vërtet me trup isha i vogël, ndonëse në rol isha me mjekër e me mustaqe. Shpesh dëgjoja nga publiku që thoshnin: “… e ku e paskan gjetur këtë xhuxh të vogël!? Qenka interesant si tip! Xhuxh, xhuxh por interpretoka bukur!”

Më lejoni një çast. Në teatër gjithnjë shkoja me dëshirën e fëmijës. Më pëlqente t’i shihja aktorët që hipnin në skenë, interpretonin… Ëndrra për teatrin më bëhej edhe më e bukur! I afrohesha teatrit, sidomos të vjetrit… Më dukej se tek ajo dhomëz e vogël në krahun ë majtë, me siguri do të kishte dritë dhe do të dukej një fytyrë e dashur, e shtrenjtë për mua: Baba..! Por edhe një dritëz më e largët… me fytyrën e gjyshit të shtrenjtë, Dedokës… Dhe emocioni më shëtiste gjatë gjithë trupit… Teatri… dhe afrohesha ngadalë-ngadale… për të mos trazuar kënd. Po afrohesha… gjithnjë e më shumë drejt skenës. E kujtoj… Si i vogël që isha, në një premierë më mori aktori Hasan Smaja. Ishte një numër prestixhatori. Bënte ca lëvizje të shpejta, më fuste në valixhe dhe më “zhdukte”.

Vizitat në teater i shpeshtoja. E kisha ëndërr të bëhesha aktor i dramës., e pse jo dhe i kinematografisë, pavarësisht se nuk u “kujtua” të më thërriste kush.

E ke parë ti, duke u rritur e duke ndryshuar, duke “devijuar”…: lëvizshmëria, shkathtësia, tingujt muzikorë në shpirt, etj. Detaje vlerësimi këto… E në fund: ky qenka një tip.

Tani edhe një kujtim. E thashë dhe pak më parë se kujtimet nuk mbarojnë… Isha nxënës në shkollën “7 Nëntori” sot shkolla “Ismail Qemali”. Isha në klasën e pestë.

Aktori i teatrit “Migjeni” Viktor Bruçeti, sapo ishte kthyer nga studimet që i kishte bërë në Rumani. Kisha rolin kryesor në melodramën që do të vinte aktori i teatrit në shkollën tonë. Personazhi kryesor që do të interpretoja nga natyra dhe karakteri ishte njëlloj si unë. Në fund të melodramës, pendohesha. Nga sytë më dilnin lot. Dëgjoja nxënësit që thoshnin: Sa bukur luan Zefi! 
 
Drejtues i grupit të teatrit në Shtëpinë e Pionierit, ka qenë aktori i teatrit “Migjeni”, Paulin Lacaj. E kujtoni?
Po, me nderim dhe respekt. Edhe pse ishim të vegjël, mësues Paulini mësimet na i jepte si profesionist. Nga grumbulli prej 10-15 fëmijësh, veçonte 4 apo 5 dhe thonte:”Këta kanë të drejtë të hipin në skenë!” Atëhere kemi vënë në skenë pjesët: “Në rrugicën tonë”, “Një natë vjeshte”, “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët”. Në këtë të fundit unë luaja xhuxhin qaraman.

Më lejoni t’i bëj pak portret zotni Paulinit, i talentuar si aktor. Me flokët përpjetë, të ngrira e të lyera si me brilantinë. E kujtoj në stinën e verës dhe të dimrit. Në këtë të fundit vishte një pallto ngjyrë kafe të mbyllur. Dhe kujtoj... kur bënte të ftohtë mblidheshim pranë stufës. Drita ishte e vobektë.

Drita e zjarrit i binte në fytyrë. Zotni Paulinit i ndriçonte fytyrën, gojën, e cila fliste shqipen bukur e me kantilenë. Kishte mjeshtëri kur na tregonte një episod, kur na zbërthente një rol a një personazh. Na rrëmbente me botën e tij të personazhit! Ta fuste në kokë, që ta vazhdoje këtë rrugë. Dhe ma futi në krye vërtet, mua personalisht...

Ecte rrugës i qetë. Rrugën e zgjidhte drejt. Me vetulla të trasha. Me cigare në gojë e çantë në dorë. Brenda saj  ishte dhe një pjesë e pasurisë së vyer të arkivës së teatrit “Migjeni”, që e mblidhte çdo ditë. Ishte një arkivë model dhe e tillë mbeti ajo arkivë derisa jetoi zotni Paulini. Sepse ishte korrekt e strikt për çdo element të dokumentacionit të arkivës.

E kujtoj, kur na shpjegonte, na thonte:”Kështu dua të ma mësoni! Kjo është korrekt”. Dhe ne kur i përgjigjeshim ashtu siç na thoshte zotni Paulini, ai përgjigjej: Korrekt!

Më ka dashur shumë! Më ka hapur dritaren e dëshirës sime  e të shpirtit të tij për t’u bërë aktor. I faleminderit!

Zef, a ka grimca të tjera jeta jote aktoreske?
Unë përsëri do të kthehem tek teatri. S’e kam lënë. E kam të shenjtë. Interpretoj rregullisht, si në dramat: Hije në rrugë, Nora, Histori Irkutase. Tek Nora jam ai fëmija që turku i ka djegur shtëpinë dhe duhet të largohet. Jam në krye të skenës, ku rrëfimi im paraqet tragjedinë e ndodhur. Ndërsa tek Histori Irkutase jam në rolin e Antonit, i cili kishte mik të ngushtë Sergejn (interpretonte aktori Lec Bushati). Ai për të na shpëtuar për mos t’u mbytur, vdes. Duke lënë një kujtim të bukur jo vetëm tek ne, por edhe tek Valja, të cilën e donte shumë. Dhe ne u bëmë miq të Valjes.

Me siguri doni grimca të tjera... Nga shtatëvjeçarja shkova në Teknikumin e ndërtimit në Tiranë, më pas në NSHRAK Shkodër si tornitor; në Ndërmarrjen e Artizanatit, ushtar... të tjerat le të mbesin “surpriza”...

Një ditë takoni aktorin Gjosho Vasia. Ndryshoi gjë në jetën tuaj artistike?    
Me Gjoshon, kujtimet i kam pafund... Një ditë duke kaluar rrugës, takoj Gjoshon, i cili punonte në hidrocentral të Vaut të Dejës. Më lejoni të riprodhoj dialogun:
 
     -Zeko, si je?
     -Mirë. (Gjoshoja më njihte, se më kishte njohur gjyshin e babën.)
     -Po ku je?
     -Në Artizanat.
     -E di, e di. – Po a je... Pse nuk vjen në Hidrocentral? (Për të ishte kënaqësi e madhe t’i thoja po nga mënyra se si m’u drejtua.)
     -Zeko, a ke qejf të vish në Hidrocentral? – këmbënguli Gjoshoja. – Aty jemi bashkë. Bëjmë estrada të bukura. Për këtë të jesh i bindur! (Megjithëse larg) më në fund i thashë: - Po. (Gjoshoja u lumturua! E pashë: nuk ecte, por vraponte nga gëzimi.)

     Edhe dy-tri grimca... Në rrugën time artistike ‘një hop’ më dha estrada e NSHRAK-ut, ‘dy hop-a’ më dha Ndërmarrja e Artizanatit, kurse Estrada e hidrocentralit më dha ‘hop-in’ përfundimtar, ndërsa Klubi i Rinisë “Heronjtë e Vigut” më fali e më ruajti shpërthimin rinor.
     -Zef, mos m’u largo nga “rruga”, po bisedojmë për Gjoshon...

     *Ah, për Gjoshon tim! Të mirin Gjosho! Ai ndërtonte skeçin. Do ta lozte me mua. Ndërtonte parodinë. Do ta këndonte se s’bën me mua. Kisha vesh për muzikë, njihja notat dhe mësova kitarën si Gjoshoja. Një veçori për figurën time të interpretimit ishte skeçi “Gjuhët e huaja”. Një skeç që pati sukses dhe një det të qeshurash. Me Gjoshon shihja shumë filma. I komentonim. Kur i interpretova, pata shumë sukses...

     Me mua Gjoshoja punonte shumë. Ishte këmbëngulës. Më ngarkonte me materiale që i shkonin për shtat interpretimeve të mia. Kjo për mua ka qenë çelësi i suksesit tim. Dhe e kam thënë gjithëherë: “Nëqoftëse mësuesi im i parë për teatër ka qenë aktori Paulin Lacaj, artisti Gjosho Vasia më zbërtheu dhe më zhvilloi fort nga ana interpretative, duke mos pasur më frikë të luaja edhe karaktere komike, ndoshta edhe më të vështira. Dhe erdhi nje çast kur shumë kush më thonte: “Zefi është i gjithanshëm!”

     -Tani një konsideratë të tipit profil për Gjoshon…

     * “-Hë, Gjosho, si je? “Alegria” – gjithnjë të përgjigjej. Alegro ka qenë. Tip i qeshur. Shkruante shumë. Më tepër entiziast. Këmbëngulës. Në skenë, në interpretim, nuk njihte amatorizëm. Drejtimet e tij ishin profesionale dhe përpiqej që në çdo interpretim të fuste elementë të rinj që të plotësonte sa më mirë personazhin interpretativ.

Dueti Gjosho – Zef në mbrëmjet e Vitit të ri të fëmijëve në TVSH, besoj i kujtoni?..
Në televizión, Gjoshoja mori përsipër këto spektakle për fëmijë, kuptohet me mua. Shkëlqeu në paroditë e tij me kitarën besnike e simpatike. Do të ishim protagonistët kryesorë. Altini zevzek (Zefi) që i siilte prapësi xhaxhi Gjoshos. Kështu… për 15 vjet rresht në ekranin e TVSH. Aq sa, fëmijët e asaj kohe, tani janë 20 a 25 vjeçarë a më shumë; janë bërë prindër, por… ndonjëri nuk harron dhe me humor kur më takon më thotë: O Altin, ku e ke xhaxhi Gjoshon?..

Dhe… takimi i fundit me Gjoshon ka qenë Viti i ri 1998 në skenën e Teatrit “Migjeni”, në atë skenë shkodrane ku emri i tij, krahas komikëve të tjerë, mbeti i skalitur.

Dhe tani te një surprizë… Klubi i rinisë “Heronjtë e Vigut”. Ke ti mall kam dhe unë mall… Foleza e përbashkët rinore…

*E vërtetë. Qendra e rinisë (rinore) e qytetit tim. Stacioni më i dashur! Institucioni që nuk njihte plakje. Ndoshta, dhe kjo ishte e vërtetë, ato veprimtari të pafund e mbresëlënëse lidheshin me dy njerëz pasionantë, të devotshëm, të mrekullueshëm: Ferdinand Bushati ose zotni Nardi siç e thërrisnim (atëhere dhe sot kur e takojmë), si dhe regjisori i talentuar Hilmi Tukaj, autor edhe i disa librave me tregime dhe i disa romaneve.

     Zotni Nardi kishte një komunikim të lirë e të ëmbël me të rinjtë. Në atë dialog i jepte të riut të kuptonte: Ti nuk ke ardhur për herë të parë, ti ke qenë këtu. Ndërsa Hilmiu, edhe pse ishte regjisori ynë e na donte fort, do të thoja nuk kam parë spektator më interesant se ai, tifozi ynë më i madh. Mund të ishte shfaqja e 30-të, ai kishte për detyrë t’i mbante mend të gjitha batutat, dhe sapo të shqiptoheshin, ai qeshte e qeshte siç qesh një det i kaltër që ngrohet nga rrezet e diellit dhe nga prania e pulëbardhave. Eh, Hilmiu, Hilmiu! Një dhimbje..!

     Në këtë skenë rinore mësova kitarën, saksofonin, klarinetën, flautín nga muzikanti-mjeshtër Fatbardh Luga, si dhe interpretoja në ndonjë duet orkestral me muzikantin Osman Mula, që vërtet nuk mund ta harroj… S’mund t’i harroj ata tinguj të magjishëm, flurorë, ëndërrimtarë… Kujtime rinie!..

deda
Zefi, më në fund në skenën e Teatrit “Migjeni”, profesionist...

T’ju them të drejtën, fillimet e mia kanë qenë të vështira, të vobegëta. Ndonjë rol fëmije, ndonjë personazh i tretë, ndonjë figurant. Sikur s’ua mbushja “syrin”. Zgjimi im, rritja ime aktoreske po linte “shenjat” e para në rol. Diku me dashje, diku pa dashje, e kthyen kokën dhe nga unë. Me sa dukej paraqitja interes. Ndoshta qe figura e Cenit te skeçi “Guzhinieri”, apo ndonjë skeç tjetër, që...

Impulse të reja për zgjerimin e diapazonit tim si aktor, e, që u bë vendimtare për mua, ishte “njohja”, interpretimi me aktorë të mëdhenj si Tano Banushi, Hasan Smaja, Zyliha Miloti,

Jolanda Shala, Paulin Preka, Katerina Biga etj. Secili ishte shkollë për mua, ku “studioja” e interpretoja.
Po vizatoj dhe ca portrete të dashura...

Tano Banushi, me një pathos të madh për skenën, i vëmendshëm në marrëdhënie me partnerin e regjisorin. Pranonte sugjerime e të jepte sugjerime. I aftë për të transmetuar batutën. E nënvizonte dhe e theksonte mirë atë. Aktor i roleve të situatës, edhe i batutës. Melodioz. I binte kitarës. Me një plastikë të këndshme në skenë. Korrekt me skenën, rekuizitën dhe garderobën. Në fund arkivist skrupuloz i interpretimeve tij tija në skenë.

Hasan Smaja, një aktor i disiplinuar i çdo mizanskene, çdo interpretimi dhe i tekstit. Vërejtja e tij e përgjithmonshme: Mos e luaj batutën! Mos e ndrysho! Hasanin ke përballë. Po s’e the ashtu siç është e shkruar në tekst, s’të përgjigjem..!

T’ju them të drejtën, në skenë kisha dëshirë me variu e me ba pakëz dredha. Tanoja e kishte dhe s’e kishte qejf. Hasani të thoshte: Stop!

Tani edhe dy elemente që plotësonin portretin e aktorit Smaja: parodist e prestixhator i mirë.

Kur flasim për aktorin Paulin Preka, problemi është disi më ndryshe. Në fillim interpret i roleve dramatike, të plotësimit të karaktereve. Pra, me këtë bukë të gatuar vjen në skenën e estradës. Për tipare do të thoja: i gjerë, i lirë, me plot nuanca të theksuara popullore. Një veçori tjetër e Paulinit, të cilin e kishte edhe Tanoja, i kushtonin kujdes daljes bukur në skenë, në mënyrë të papritur dhe pozante, duke manifestuar tipin që do interpretonte, profilin dhe karakterin e tij.

Kurse për Zyliha Milotin do të thoja fillimisht, shkëlqeu në PAM, e ai shkëlqim erdhi duke marrë përmasa të reja në Estradën profesioniste. E aftë dhe pa probleme në interpretime. Recitali që bëra me të, na konkludoi që ishim më të kuptueshëm me njëri-tjetrin dhe galeria e personazheve që interpretuam janë nga më të bukurit e karrierës sonë artistike. E, për Zylin kisha për të thënë shumë... Por... kalojnë vitet, kalon mosha e aktori plaket. Tek Zyli, kjo bën përjashtim. Bukuria dhe humori i saj flasin vetë... Nuk plaken...

Të vegjëlit e të mëdhenjtë kujtojnë Çaplinin, një interpretim  virtuoz... Besoj nuk e keni harruar?
Isha 25 vjeç. Ndiqja shumë filma në televizor. Më kishte mbetur në krye Çaplini. E admiroja aq shumë, sa më shfaqej në ëndërr. E admiroja për plastikën e jashtëzakonshme, për lëvizjet mahnitëse e flurore.

Nga fiziku isha i dobët. Sikur... iu përgjigja pikë për pikë Çaplinit. Një ditë i thashë regjisorit Paulin Sekuj, se dua të bëj një parodi-pantomimë për Çarli Çaplinin. Ai jo vetëm ma mirëpriti, por u “konsultuam” gjatë me të. Më sugjeroi shumë gjëra, çka më hapi shumë dritare të reja. Ndërmarrja ishte e vështirë. Por bagazhi im artistik, përvoja e ballafaquar me aktorët e Estradës profesioniste, më jepnin kurajo e guxim. Sikur shprehnin atë që më tha i pari, regjisori Sekuj: “Bravo, Zef!”

Unë e interpretova. Mora shumë duartrokitje dhe përgëzime. Nganjëherë më duket e çuditshme. Në fund të fundit, m’u plotësua një dëshirë. E dua atë rol!         

Zef ..., ndonëse kanë kaluar shumë vite, i kujtoni rolet më të realizuara?
Si jo. Rruga për interpretimet e roleve-karaktere, tashmë ishte e përmbushur dhe e hapur. Dua të përmend: “Kola i dritave”, “Kunati i shokut Xhemal”, “Lulashi”, “Konstandini dhe Doruntina”, etj. Loja me vërtetësi e personazheve, gjetja e detajeve, formimi dhe shpalosja e karaktereve të paparë ndonjëherë, etj., kanë sjellë suksesin tim. Dhe unë tani jam, këtu ku jam, me interpretimet e mia në vite...

Dhe aktori, Artisti i Merituar Zef Deda rri bukur mes këtyre personazheve që krijoi, u dha jetë me talentin e tij... U dha jetë nga jeta e tij!
Shkodër, korrik 2017

[1] Pajo, Ludmilla: Respekt e dashuri të shprehur me imitim, Bisedë me Rita Ndocin e Zef Dedën; revista Ylli, Nr. 6, 1986.

zef deda

/shqiptarja.com/