23
Sh, SH
2745 New Articles

Dokumentet e panjohura për Ndre Mjedën, te gjitha ne penden e Mentor Qukut

KULTURE
TIPOGRAFIA

 

Nga Leonard Zissi

 

Më 1 gusht të këtij viti u mbushen plot 80 vjet nga vdekja e poetit tonë të madh Ndre Mjeda. Për të janë botuar shumë shkrime, por më i rëndësishmi është vepra në disa vëllime kushtuar atij e studiuesit të nderuar Mentor Quku. Kur në vitin 2005, ai po përgatiste për botim vëllimin e parë kushtuar rinisë së poetit, m’u drejtua me kërkesën për ta ndihmuar në gjetjen e dokumenteve të qëndrimit të Ndre Mjedës për studime në Krakov në vitet 1891-1893, sepse i mungonin ato. Me gjithë përçapjet që bëra në këtë drejtim, nga historianë polakë mora si përgjigje disa të dhëna të përgjithshme për Ndre Mjedën që i kishin siguruar nga arkivat që kishin shfrytëzuar. Ndërmjet të tjerave, në to thuhej se rezultatet në mësime të Ndre Mjedës kanë qenë të mira dhe se në përfundim të vitit të dytë ai ndërpreu studimet dhe u largua nga Polonia, pa ditur arsyet.

Ndre Mjeda ishte një prift katolik jezuit dhe për studime në Krakov nuk u nis nga Shqipëria, por nga Venecia. Më 27 mars 1880 ai kish hyrë në Shoqatën e Jezuitëve të Provincës së Venecias dhe në vitin 1891, së bashku me një grup jezuitësh të rinj nga kjo provincë, shkoi për studime për Teologji Dogmatike në Kolegjin Jezuit të Krakovit.

Duke përfituar nga bashkëpunimi që kam me Arkivin e Shoqatës Jezuite të Provincës Jugore të Polonisë me qendër në Krakov, në sajë të të cilit u bë e mundur që përktheva dhe botova tri vepra të priftit jezuit polak Marçin Çerminjski kushtuar Shqipërisë, Dalmacisë dhe Malit të Zi si dhe Bosnjë e Hercegovinës, shkruar prej tij në shekullin XIX, iu drejtova këtij arkivi me kërkesën për të kërkuar në se në të kishte dokumente për qëndrimin e Ndre Mjedës në Krakov në vitet 1891-1893. Përgjigjja erdhi pozitive dhe arkivi më dërgoi faksimilet e 8 dokumenteve që lidheshin edhe me qëndrimin e Ndre Mjedës në Krakov në këtë periudhë. Për këtë ndihmesë duhet t’i jemi mirënjohës dhe ta falënderojmë përzemërsisht Atin Bogusllav Steçek, ish-drejtorin e këtij arkivi dhe sot administrator (Povincial) i Urdhrit të Jezuitëve për Shoqatën e Pavarur Jezuite të Rajonit të Rusisë ku, përveç Rusisë, bëjnë pjesë edhe Kirgizia, Ukraina dhe Bjellorusia, i cili iu përkushtua seriozisht kësaj çështjeje dhe zbuloi e na dërgoi këto dokumente.

Në shekullin XIX shteti polak nuk figuronte në hartën e Europës. Ai ishte copëtuar në tri pjesë: pjesa perëndimore ishte nën pushtimin e Prusisë, ajo lindore në pushtimin e Rusisë cariste, ndërsa pjesa jugore, ku përfshihej edhe Krakovi, quhej Galici dhe ishte nën pushtimin e Perandorisë Austro-Hungareze. Është kjo arsyeja që Katalogët e Shoqatës Jezuite, faksimilet e të cilave iu bashkëngjiten këtij artikulli, emërtohen në latinisht: “Catalogus Provinciae Galicianae Societatis Jesu”.

Ky dokumentacion përbëhet nga tri pjesë.

Në pjesën e parë është Regjistri i Katalogut i Shoqatës së Jezuitëve të Krakovit, arkivi i së cilës është themeluar në vitin 1820. Ai është shkruar në gjuhën latinisht, ku Ndre Mjeda, në vitet 1891 dhe 1892 është regjistruar në numrin rendor 38 me emrin Andreas Mieda. Rubrikat e regjistrit përmbajnë datën e lindjes së Ndre Mjedës, e cila është shkruar gabim si 19 nëntor 1886, kur dihet se Mjeda ka lindur më 20 nëntor 1866. Ky gabim është njohur edhe nga vetë arkivi i mësipërm. Përveç kësaj, në rubrikat e mëpasshme, janë shënuar data 27 mars 1880, ajo e pranimit të Mjedës në Shoqatën e Jezuitëve të Provincës së Venecias, ajo e regjistrimit të tij si student në vitet shkollore 1891 dhe 1892 dhe, në rubrikën e fundit figuron shënimi në latinisht: “Dim=dimissus” që tregon se ai u largua nga Urdhri Jezuit i Venecias. Faksimilet e këtij dokumenti paraqiten në figurat 1 dhe 2.

Në pjesën e dytë paraqitet lista e studentëve të vitit të parë, të dytë, të tretë dhe të katërt që studionin në këtë kolegj. Në regjistrin e vitit 1892, Andreas Mieda figuron i pari në listën e studentëve të vitit të parë të studimeve, ndërsa në regjistrin e vitit 1893, ai figuron i regjistruar i dyti në grupin e studentëve të vitit të dytë. Faksimilet e këtyre dokumenteve paraqiten në figurat nr. 3, 4, 5 dhe 6.

  

Në pjesën e tretë të dokumenteve paraqiten lëndët që ka dhënë provime Mjeda, emrat e profesorëve si dhe notat që ai ka marrë në këto provime.

Ati jezuit Stanisllav Çieshlak, Doktor i habilituar, Prof. Ing. në Katedrën e Historisë të Kulturës Kristiane në Institutin e Kulturës të Akademisë Ignatiane të Krakovit, ka përgatitur një studim të plotë kushtuar grupit të studentëve jezuitë të Venecias që shkuan në Krakov në vitet 1891-1893, ku bënte pjesë edhe Ndre Mjeda, i cili do të botohet në revistat polake në shtator të këtij viti. Gjithashtu, ai është duke përgatitur edhe një studim me titull “NDRE MJEDA NË KRAKOV” dhejemi në kontakt me të, që këto dy studime, bashkë me dokumentet e përmendura më sipër, të bashkohen dhe të botohen në një broshurë të vetme me titull NDRE MJEDA NË KRAKOV”.