18
Mer, T
2793 New Articles

Thuamë që më do, letra e dashurisë që Remarku i shkruante Marlene Dietrich

KULTURE
TIPOGRAFIA

18 janar 1939,

Ti je bërë për mua e unë jam bërë për ty; nuk mund të jetë ndryshe. Nuk je vetëm ti ajo rezonancë që unë ndjej e thith si ajër, por i tillë jam dhe unë.

E di?… Unë jam një pasqyrë konkave që kap plot ethe dritën tënde, e mbledh atë plotësisht në gjoks dhe, duke e djegur fort, e kthej krejt refleksin në drejtimin tënd. Herë të tjera vetja më duket si një merimangë që end një pëlhurë vezulluese, të trëndafiltë e plot reflekse, – një pelhure mendimesh, ndjenjash, fjalësh ngrohtësie, e cila do të të kapë e pastaj të bëhet banesa jote, – e mbushur plot gjëra të cilat ty të mungojnë, një pëlhure plot trëndafila e dafina,

e thurur me fije të ndritshme argjendi, e lehtë dhe e fortë për të mbajtur ty dhe hapat e tua të lehtë si kaprolli, një pëlhurë të ngritur nën një qiell të kaltër e mbi ujin blu të detit, nga ku ti mund të hidhesh e të kridhesh gjithe qejf në ujrat e kristalta e të kthehesh pastaj përsëri tek ajo, si një lodër e këndshme fëmijësh e cila t’a mbush zemrën plot ngashërim. O, drita ime e dashur!…

E di?… Nganjëherë, unë nuk mund të ulem për të shkruar librin që kam nisur e të cilin e urrej, sepse ai më largon prej teje. E atëherë tërhiqem nga studioja, nxjerr fotografitë e tua dhe i vendos në radhë para meje edhe pse e di që kjo gjë nuk më qetëson. Përkundrazi, e bën edhe më të rëndë gjendjen.

Por, megjithatë, edhe pse këtë e di, nuk ndërroj mendje e, duke i vështruar ato, nis e flas me ty e, pastaj, ndjej që gjendja ime shpirtërore bëhet edhe më e rëndë, sepse ështe një gjest i vështirë ky, i padurueshëm por edhe i mrekullueshëm e, pastaj unë tërhiqem përsëri aty tek vendi im, ulem në tavolinën e shkrimit për të vazhduar librin…