18
Mer, T
2793 New Articles

At Zef Pllumi, dëshmia në zemrën e lënduar të historisë

KULTURE
TIPOGRAFIA

At Zef Pllumi është kujtuar sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare përmes një ekspozite me librat përfaqësues që mbajnë emrin e tij. 

Një ekspozitë kushtuar memuaristikës shqipe që hedh dritë mbi një korpus kujtese e dëshmimi, i cili, në filtrin e epokave dhe në spektrin e historisë është shndërruar në Kujtesën tonë kolektive, do të shprehej drejtoresha e Bibliotekës Persida Asllani. ”Ju ftoj që këto libra të përzgjedhur (si dhe shumë të tjerë që nuk mbërrijmë t’i ekspozojmë sot) t’i konsideroni si shprehje të vetëdijes së lartë të autorëve për të dëshmuar pikërisht atë çka rrezikonte të humbiste drejt harresës ose heshtjes: të vërtetën e tyre njerëzore në pikëpjekje me çastet kulmore të historisë së vendit e popullit të tyre. «Dëshmia është shtegu themelor mes kujtesës e historisë» – thotë «filozofi i kujtesës» Paul Ricoeur”, tha ajo. Memuaristika shqiptare, duke ndjekur rrugëtimin historik të letrave shqipe, zë fill përmes latinitetit të saj humanist, me veprën monumentale të Marin Barletit «Rrethimi i Shkodrës». Kjo dëshmi-monument është piketa e parë e vetëdijes së shkrimit memuaristik, që na vendos në tempullin e madh të kujtesës së qytetërimit evropian.

Në gjuhën shqipe ky gjest dëshmues shpaloset së pari përmes veprimtarëve dhe penave të Rilindjes kombëtare, si dëshmi e  kohës reale të përjetimit ose si rikthim retrospektiv, gjithnjë nga vetë autorët, në paktin e përjetshëm e të domosdoshëm të zhanrit të « memuaristikës » mes atij që shkruan-dëshmon dhe atij që  lexon-beson në vërtetësinë e saj. « Memoriet e mia » i quan Visar Dodani kujtimet e zhvillimeve të para kulturore në koloninë shqiptare e Bukureshtit; “Hi dhe shpuzë” i përmbledh Mit’hat Frashëri “frymëzimet e kujtimet” e veta, i nxitur prej miqsh « indulgjentë, për të mos i varrosur e ndoshta harruar edhe prej meje vetë » – siç pohon në parafjalë të vet.

Ndër veprat më mbresëlënëse të këtij zhanri paraqiten ato të periudhës së  Shtetit të Pavarur Shqiptar, prej ku shkëlqen vepra e Anton Harapit « Andrra e Pretashit », një nga modelet edhe sot më arrira të harmonisë së vetëdijes së shkrimit letrar dhe dëshmimit.  Ndërsa në faqet e Diellit, spikaste pena elegante e Konicës, mes dëshmimit të së shkuarës dhe reales politike në tekstin e mirënjohur « Shqipëria si m’u duk ». Vetëm shembja e Shtetit të Pavarur Shqiptar dhe dhunimi i paprecedent i lirisë mundi t’ia ndalë rrugëtimin e vet të natyrshëm kësaj memuaristike, duke penguar « botimin » e dëshmive tashmë në proces shkrimi ose botimi. Si të tilla, ato vijnë rreth 50-70 vjet me vonesë: rendisim nga « Kujtimet e Eqrem Vlorës » (ndonëse gjermanisht në origjinal) te ato të Mehdi Frashërit, nga « Jeta ime universitare » e Kokalarit te shënimet e Sejfi Vllamasit.

Vendosja e diktaturës komuniste, la gjurmë të pashlyeshme edhe në memuaristikën shqipe, duke e deformuar dhe « shtetëzuar atë ». Ajo pushoi së qeni « kujtesë e dëshmuar » për t’u shndërruar në «propagandën » jo thjeshtë të fitimtarit mbi të mundurit, por në « propagandën e përligjjes » së dhunës dhe asgjësimit. Në fakt, as nuk e fshehën qëllimin: në kopertinat e librave që janë përzgjedhur për të dokumentuar këtë moment historik të memuaristikës shqipe lexohen ende të dhënat «teknike» si «Botime të Seksionit të Shtypit të Propagandës të U.N.Ç.SH-së”» ose më vonë si botime të “Shtëpisë Botuese të Librit Politik”. Në trajtimin e botimeve të tilla nuk duhet harruar se edhe Ideologjia në vetvete është “kujtesë e manipuluar”. Pakti i shenjtë i besimit mes shkrues/dëshmuesit dhe lexuesit është shembur, duke zënë nën vete edhe ato pak dëshmi reale të epokës së Luftës Nacional Çlirimtare. Në fakt, ekspozitori që paraqet këtë moment të memuaristikës shqipe nuk shenjon një fazë të saj, por një anti-fazë, një heshtje të kujtesës dhe një prodhim etatist e manipulues « të dëshmisë së shpikur » ose « të tjetërsuar ».

Prandaj vepra dëshmuese e At Zef Pllumit, ky kulmin brilant i memuaristikës shqipe, rilidhi misionin e kujtesës nga Barleti e Harapi, me historinë dhe shoqërinë bashkëkohore shqiptare. Vetëdije e qëndresës nën misionin « Rrno vetëm për me tregue », vetëdije e shkrimit si dhe vetëdije e një etike sipërore të dëshmimit, ajo kërkon qysh prej fjalisë së saj të parë e deri tek ajo e fundit, një etikë sipërore të leximit.

Ajo është një përballje e re, ku krahas përjetimeve të forta e skenave thuajse « mizorisht » të pabesueshme, lind një proces të thellë reflektimi, përmes të cilit, At Zef Pllumi besonte se do të rindizte dritën në tunelin e errët të harresës së qëllimshme e për rrjedhojë të “fajshme”. Dëshmisë së tij iu shtuan ndër vite dhjetëra të tjera, duke përbërë sot dritën e fortë, gati verbuese, të asaj që dhimbshëm u pagëzua si “kujtesa e burgut”, secili me dëshmimin e të vërtetën e vet. Ky kalim (shteg) i kujtesës individuale në atë kolektive, ky intresubjektivitet  i shoqërisë së lirë, përbën lidhjen thelbësore mes kujtesës dhe historisë. Shoqëria shqiptare gjendet sot në një nga momenteve më të rëndësishme të historisë së vet: Përballjen etike me të shkuarën e saj komuniste, formulimin e “së pafalshmes” dhe shqiptimin “e ndjesës”.

Kjo ekspozitë modeste “In memoriam At Zef Pllumi” është pragu i rikthimit të dëshmisë në zemrën e lënduar të historisë, ashtu siç e pat shpresuar vetë “fratel Zefi” qysh kur plagët në trupin e dërmuar prej torturave, varur në trungu e pjeshkës në oborrin e degës së brendshme,  ia përthante era e ftohtë  e dhjetorit.