19
D, N
3006 New Articles

Pjeter Logoreci "ringjall" Simon Rroten , kujtese dhe perjetime brenda nje ditari

KULTURE
Typography

Pazari i Shkodres dhe Bigjisteni ne kujtimet e artistit

Homazh Simon Rrotes ne 130 vjetorin e lindjes

Nga Pjeter Logoreci

Plot 130 vjet ma parë, lindi në Shkoder, mjeshtri i pikturës e atdhetari i rradhë, Profesor Simon Rrota. Për qytetin e Shkodres, veprat e tij, së bashku me ato tëpiktorve te tjerë si: Kolë Idromenos,Ndoc Martinit...etj,  u banë shumëtë njohtuna e të admirueme. Në Galerinë e Artit në Shkoder, në mes pikturave të klasikëve të pikturës shqiptare e shkodrane, paraqitenedhe kuadrot e Simon Rrotës, të cilat dallohen ngamëndyrame të cilën ai personalizonkarakteret e portreteve (p.sh. dy figurat e prindëve),si dhe mjeshtria tij e vecantëe përdorimit të ngjyrave që në nji farë mëndyre perfaqson karakterin e tij të qetë, por të fortë. Me anën e këtij shkrimi dëshiroj me kujtue artistin e madh, në shenjë mirënjohje për cka ai i trashigoj brezave nëpërmes artit të tij, piktures. Po vendos këtu mbresat qi ai ka fiksue në ditarin e tij, perjetimet e para tëjetës së tij, përshtypjet mbi ambientin oriental e të mbrapambetun të kohës kur u rrit si dhe kontaktin e parë me kulturen perëndimore nëpërmes Etenve Franceskanë e sidomos prej poetit At Gjergj Fishta e artistit shumëdimensional Kolë Idromeno.

Kujtimet e fminisë

Nga ditari i Simon Rrotës

Atë vjetë qi linda unë, bash nder ato ditë të vjeshtës, pati vershue lumi Kir me furi (lum ky qi buron në fshatin Kir të Dugagjinit, zbret në Shkoder, kalon kah Ura e Mesit, në Bardhaj, kalon mbrapa vorreve katolike, ecë drejt deri nën Uren e Kirit e mandej derdhet në Lumin Drin), kështu me diftonte nana. Familja banonte në rrugën Luigj Gurakuqi, në shtëpi të Gjush Cecës (karshi shtëpisë Muze Luigj Gurakuqi); prandej edhe lindja eme aty ndodhi me 23 tetuer 1887, në Shkoder.

Kur mbusha katër vjetat, prindja më dërguen në shkollë bashkë me vëllaun tem Ndocin (ma vonë Patër Justin Rrota), te Tina e Nikë Gjergjit, dera e parë në të majtë në rrugicën Vjerdhej. Kjo shkollë, qysh atëherë, ishte në gjendje primitive, me pak banka e shumica e fëmijve uleshin per tokë; e me kujtohet mirë se nana na rrihte shumë pse ndyjshim branavekët (veshje kombtare në vend të pantallonave, por ishin shumë të gjana e nji copet, mashkujt-fëmi e burra i kishin të shkurta 2-3 gisht nën gju, ndersa femnat - gra e vajza - i kishin të gjata deri në fund të kambëve), me dhe. Dita, ma të shumten, na kalonte tue luejtë me selter (njifarë soj abetarit ose fletore) në dorë, mbasi germat e alfabetit nuk i njifshim aspak; nganjiherë, kur iu tekte Tinës, na mësonte ndonji germë. Tue kenë se ishim të vegjël, edhe vajzat e mëdha rrijshin me ne, dhe qindisnin me gjergjef (dy rrathë druni vec e vec, me diametër rreth 25-30 cm, vegël kjo qi nevojitet për qindisje), bajshin carape etj. Por dobi mësimit, në këtë shkollë, nuk kishte vec lojë, uratë (lutje) e pak mësim feje. Po në këtë rrugë ishte edhe nji shkollë tjetër; ajo e Kushë Mices, vetëm për vajza sa për punë dore.

Prindët e shifshin se na nuk kishim kurrfarë dobije prej asaj shkolle, e , sidomos unë, qi ma të shumtën e kohës nuk shkojshe aspak në shkollë por shkojshe te nana daje e eme (nana e nanës teme, pra gjyshja nga nana) qi e kishte shtëpinë përballë derës së shkollës; ajo më donte shumë kështu më pëlqente me ndejë aty te ajo. Prandej, nji ditë nana i tha nji shoqes vet: m´i dërgo femitë në Shkollën Franceskane, dhe kështu u ba. Kjo shkollë na pelqeu shumë pse ishte e rregullt e me banka, e tjetër prej asaj të pares, prandej u vume me dishirë me msue e me ndigjue mësuesin tonë i cili edhe ai si na, ishte i veshun me branavekë e quhej Cin Gurakuqi.

Cudija ma e madhe për mue ishte kjo; aty mësimet u bajshin italisht pse ashtu ishte programi e se, në atë kohë, ishte gjuha zyrtare qi njifte populli. Prandej, edhe na filluem me zanë këtë gjuhë simbas seltereve (abetareve) qi na nepshin. Mësues tjerë qi ishin nder klasë ma të nalta, ishin edhe Cin Llupi, Fra Evarizio, Patër Vitalioni, Patër Leoni, Patër Luka, Patër Guido, Patër Sebastiani, këta të gjithë italianë, ashtu edhe Andrea Scanetti, i cili u ba vendas dhe zotnonte mirë gjuhën tonë, dhe Mark Capaliku, shqyptar, qi ma vonëu ba frat misionar. Ma vonë erdhen edhe dy mësuesa tjerë prej Zarës, të cilët flitshin shqyp por qi na nuk i kuptojshim (arbresh), por mesimet i bajshin italisht. Këta qëndruen shumë kohë në Shkoder me familjet e tyne e quheshin: Nicola Marushiq dhe Marku, qi ishte i vëllaj i tij; ata kjenë shumë të mirë në dhanjen e mësimit vecanërisht Nicola, ma i madhi, qi na mësonte mue dhe shokët e mij,qi të gjithëkanë dekë; Zef Haxhija, Gaspër Daragjati, Marjan Prela (ma vonë frat) Marin Sirdani (ma vonë frat) ndërsa vëllau jem Ndoci (ma vonë Pater Justini), asht gjallë.

Si lokal, Shkolla e Frentënve Franceskanë ishte ku asht sot, por jo ashtu, mbasi përpara ajo ishte nji banesë private, e ma vonë kjo u përdor si shkollë e në vjetin 1899 u shtuen disa oda (dhoma) tjera e u ba krejt e re; ndërsa saloni i teatrit, kje ndertue pak vjet ma parë se ndertesa e shkollës. Më vjen në mend se ky salon u ndertue në oborrin e shkollës, në krahun e djathtë mbi do jerevi (fjalë turkisht, ndertesë e ulët me mure të lehta për tu përdorë si depo) pronë private e Shan Cungelit, i cili punonte nder freten. Gjatëndertimit, fretnit vuejten shumë për shkak të qeverisë  turke, e ngacmueme prej këtyne të vendit (myslimanve) qi nuk dojshin ndertesa, e, teatri, pa lejen e Stamollës (kryeqyteti i Perandorisë Otomane), nuk mund t´u ndertonte. Prandej puntorët u veshnin me zhguna (veshja e fretënve) si fretnit, për mos me ra në sy të qeverisëturke. Ashtu ishin kohnat atëherë e u jetonte me krye në gërshanë. Njata fretën franceskanë, qi sot masa e re e hjedh poshtë edukaten e tyne, e qesin poshtë vuejtjet e sakrificat qi ata banë për të mirën e popullit qi, jo vetëm më mësuen fenë, por edhe kulturen, muziken, pikturen, letersinë etj., në ato kohë të rrezikshme nën absolutizmin e Sulltan Hamidit, i ranë murit me krye (rrezikuen jeten e tyne) për me kulturue popullin tonë, pa qëllim propagandet. Po të ishte ndryshe, pse atëherë nuk hapen shkolla o teatro civilët e privatët e atëhershëm, por pritshin qi këto gjana ti bante kleri me përgjegjësinë e vet e, ndoshta, dikush u gëzonte kur fratin o jezuitin e futshin në burg. Cdo kohë ka edhe njerzit e vet qi dishmojnë të kaluemen e atë cka panë e vertetuen me sy të vet.

Mesimet në Shkollën Franceskane ishin mjaft të rregullta, edhe baza materiale nuk mungonte kurr, pse Austria, plotësonte të gjitha nevojat e shkollës me: tekste të ndryshme, fletore etj., qi u a nepshin tanë nxanësve sa herë kishin nevojë, e , në fund të vjetit na falshin të gjithë librat, për me na dhanë tjerë për vjetin e ri shkolluer. Kjo shkollëishte mjaft e ndjekun prej nxanësve, numri i të cilëve i kalonte 400 fëmi, të përziem bashkë, pasanikë e të vorfën,  tue mos pasë asnji dallim as në mësime as në lojë. Sikur thashë ma nalt, të gjithë mësimet u nepshin italisht, përvec katekizmit, mbasi ishte landë fetare, e atë e bajshim në shqyp prej ndonji frati italian qi zotnonte mirë gjuhën tonë. Prandej mos ti bajë përshtypje ndokuj kjo gja se ashtu ishte koha atëherë. Kaq asht e vertetë qi, kur ndijshim ndonji frat tue fole shqyp, i thojshim shoqi shoqit: edhe ky flitka si na, por nuk thojshim kurr shqyp, pse gjuhën tonë, si fëmijë qi ishim, nuk dijshim me e dallue cka ishte, mbasi fjalën shqyp e Shqypni, nuk e ndijshim kurr prej të tjerëve, me pak fjalë, na nuk ishim edukue prej të huejve, me ndjesi kombëtare, deri sa erdhën fretnit shqyptar si: Patër Gjergj Fishta, Patër Pashko Bardhi, Patër Severin Lushaj etj. Njatë herë kuptuem se ishim edhe na shqyptarë të vegjël. Patër Gjergji nuk vonoi me shkrue vjersha e kangë shqype me ndiesina patriotike tue përshkrue Skanderbegun e luftat e tij, e kështu filluem me marrë vesht se Turqit ishin anmiqtë tonë.

Si e kujton mjeshtri Simon Rrota Pazarin e vjetër të Shkodres e Begjistenin?

Sistemi (ndarja) e rrugëve të pazarit të atëherëshëm, ishte në këtë mënyrë:

...rruga fillonte në krye të pazarit, me zanatlijtë përkatës, e të parët ishin ARKAXHITE. Këta bajshin arka nusesh (në vend të bauleve), me ngjyra simbas modelit të arkave qi vijshin prej Venedikut. Përvec arkave, bajshin ferraca, cakorka(vegël druni qi u rrotullonte, u sillte) qi përdorshin gratë për me mbështjellë fijet e mëndashit, të pambukut etj.  Mbas këtyne DYFEKXHITE, qi riparojshin armë tëndryshme, e ndërmjet tyne, kishte edhe dugajë tjera të ndryshme. Me tutje vijshin TEQELITE qi shitshin pemë (fruta). Këta u dallojshin prej të tjerëve për mënyrën e paraqitjes bukur e me sistem tëprodukteve, e simbas stinës, u gjente cdo pemë në teqe (zona ku ishin vendosë pemëshitësit, ishte afër nji Teqje Bektashijsh, prandaj u thirrshin teqeli). Vetë rasa i terhiqte njerzit kur kthejshin në qytet e nuk rrinte kush pa ble pemë për familje e vecanërisht për fëmij. Në vazhdim ishte VENDI I DRITHNAVE, vendi i elbnave (bereqetit – drithnave) si: drithë, grunë, elb, tërshanë, etj. Shitja u bante me masat e peshimit qi u përdorshin atëherë: korriqe, babune, koshiq (te trija këto ishin enë druni të rrumbullakta me madhsi simbas llojit) gjithashtu edhe me barrë (thes - deng qi peshonte 100 okë). Këtu populli blente berecetin (kokërr, ta pa bluem), për vedi, ashtu edhe simitcitë (fjalë turke – furrtar) si të qytetit ashtu edhe të pazarit, blejshin me shumicë për nevojat e tyne. Por ma e shumta e familjeve e gatujshin buken në furrat e shtëpisë, pse e kishin për marre (turp) me ble buken te  furrtarët. Mbasi të kalojshe elbnat, ma nalt ishin DJATHNAT E MIELLNAT. Aty ishte nji shesh i vogël e nën hijen e nji mandi të madh rrijshin hamallicat (gra qi jetojshin tue bajtë me pare, gjana të ndryshme, prej pazarit në qytet). Njikohësisht në këtë vend shitesh mielli i grunit, kollomoqit (mistrit). Ma nalt u bante tregu i djathit, tlynit (gjalpit), vojit të ullinit, voeve (vezëve), pulave etj., gjanave ushqimore.

Në anën e djathtë, ishte SOKAKU I TALLAGANXHIVE, qi punojshin tallagana (veshje e trashë punue me lesh dhije, pa mangë, qi përdorej në dimen si pallto), shajak për tirqe (formë pantallonash të trasha, të bardha, të punueme me lesh delje, për dimen), gjurdija (nji fa jeleku - zhile, ngjyrë e zezë, e trashë, punue me lesh delje, pelhure shumë e dendun e rrastë për dimen) të gjithë këto artikuj ma të shumtën për malsorë e katundarë. Por bajshin edhe punë speciale për myslimanët e Shkodres, pse tirqit ata i dojshin të përshtatshëm mbas dishirit të tyne. Tue vazhdue gjatë rrugës të tallaganxhive, fillonte, pak ma nalt, SQELJA E PESHKUT, ku shitej peshk gjithëfarë sojit me shumicë e pakicë. Këtë gja e kishin zanatë Shirokasit (banorët e katundit Shirokë, në breg të Liqenit të Shkodres, 5-6 km larg qytetit) qi e zejshin peshkun në liqen, me  sasi të madhe, mbasi aso kohë, liqeni ishte krejt i joni, prandej kishim rasë të mirë me gjujtë peshk. Tue u kthye prej sqelës, vijshin ZAGANJORET, (banorë të katundit Zogaj, përtej Shiroket, po buzëliqenit) qi tregtojshin voj e lëkura të ndryshme e përvec këtyne bajshin edhe këpucë të lehta të shkurta (pa qafë) bojë të zezë, qi aso kohe populli i përdorte shumë pse ishin të buta e të lehta, të vlefshme nëpër shtëpi.

Po aty, jo fort larg, ishte nji GJELLTORE (restorant) ku pasanikët edhe tjerë, dërgojshin shegertat me marrë gjellë për misditë. Por kishte edhe asish qi shkojshin aty me hangër, por ma të shumtit, ishin të huej. Për ato kohna, u paraqiste mirë, i pajisun me gjanat e nevojshme e me tavolina, baras si restorantet e sotëm; i zoti i këtij, ishte nji ortodoks qi i thojshin emnit Pllazho. Përballë tij ishte HANI I ALI TIRANES, ku gjejshin strehë të gjithë ata qi vijshin nga Shqypnija e mesme dhe e jugut. Më shumë vijshin prej Krujet e Tiranet, qi bijshin me shitë voj, lëkura etj. Fytyrat e disa prej tyne më bijnë në mend, ndër ta ishin Ymer Qosja, Guti, Hoc Muharremi etj. Këta tregtarë, mbasi shitshin mallin e vet, kur kthejshin në shtëpitë e tyne, blejshin beze, pambuk etj.

Tue u kthye prej zaganjoreve, vinte ndërtesa e madhe e BEGJISTENIT e ndertueme prej Vezirit të Shkodres (autoritet i naltë Turk). Thonë se pati thirrë pasanikët ma të mdhaj të pazarit qi u merrshin me tregti, tue i thanë se: me atë ndertesë, ai siguronte mallin e tyne tue vue katër pazvan (roje të armatosuna) natën në rasë rrezik zjarri si edhe kundër hajnave. Ndertesa kishte katër dyer të mëdha e të forta e të veshuna me pafta hekuri. Aty mbrendë ishte edhe KAFEXHIJA qi i shërbente vetëm atyne qi ishin në Begjisten dhe nuk kishte të drejtë me cue kafe jashtë kësaj ndertese ashtu sikurse edhe të tjerët (të jashtmit) nuk mujshin me cue kafe aty mbrendë, pervec tamlit (qumësht), në verë. Kështu ishte ligji (rregulli) caktue atëherë. Kjo ndertesë, ndër ato kohna, ishte vendi ma i pasun i pazarit; kush kalonte aty pari mbeste i mahnitun prej përshtypjeve të madhe qi i bante kjo ndertesë dhe fytyrat e ndryshme të tregtarëve. Sot Begjisteni, asht shkatrrue krejt e lanë mbas dore, ndërsa do të kishte kenë i vetmi monument kombëtar në Pazar të Shkodres.

Tue dalë prej kësaj ndertese, u hynte ne SOKAKUN E HAMZ AGES, sokak ky mjaft i mbushun me dugajë tregtarësh mjaft të përmendun qi u merrshin me tregti të ndryshme e mbasi i kam njoftë të gjithë, po me kande (pëlqen) me i permendë. Tue fillue nga qoshja: Mustafe Sadiku, Engjëll Coba, Sali Sahatcija, Alush Spahija, Beqo Bekteshi, Gjon Ashiku, Nikolla Berovic, Lazer Kraja, Kolë Vogli, Kolë Zadrima, Alush Mati. Në anë të sokakut, fillonte Ndreke Kaculini, Dan Berberi, Januz Rrepishti, Sule Fani, Kolë Saraci, Halil Reci, Lan Mustafa, Pjeter Leka etj. Mbasi kalonte ky sokak, vinte KULLUKHANJA, (ndertesë e vogël ku rrijshin rojet e armatosuna, me ndrresa për natën e për ditën) si dhe RRUGA E KASAPVE, qi ishte mjaft e gjatë. Në gjysë të saj, ishin KRYPNAT, ku magazet, ishin të mbushuna me krypë të bardhë e të zezë qi ia shitshin tregtarve të vegjël. Aty ishin edhe TERZITE (rrobaqepsat) qi punojshin kostume kombtare për myslimanët, si: xhamadana (afërsisht si xhaketë por pa sumblla-pulla), jelekë (si formë zhile), xhybe (në formë pallto, jo fort e trashë, pa mangë e gjatë deri nder gjuj) etj. Në vazhdim ishin edhe MAGAZET E MEDHA, pjesa aristokrate e pazarit (pasanikët), në të cilat u bante tregti me shumicë: me qinda denga përnjiherësh. Këto magaze, ishin të mbushuna me mallna jo vetëm poshtë por edhe nalt. Qe disa emna të këtyne tregetarve; Parrucajt (katolik), Kolë Suma, Gjokë Naraci, Palokë Darragjati, Loro Zef Shiroka, Ndrekë Shiroka, etj. Ky i fundit, aso kohe, ishte i vetmi qi shiste PAFTEN (pelhurë) speciale për branavekët (fjalë qi rrjedhë prej italishtes: branghe venete), ngjyrë vjola të mbylltë dhe të zezë qi perdorshin gratë katolike e, përvec këtij askush tjetër nuk mund ta shiste. Nji karakteristike tjetër e pazarit ishte edhe TRUMA ( pompëuji, me bisht e santuf me shollë  - lekurë të trashë, qi manovrohej me dorë) e kujxhive (argjendar, fjalë turke), jo pse kishte formë ndryshe prej të tjerave, por vetëm për ujin e mirë qi kishte, në mbarëpazarin. Aq i kishte dalë nami (fama) sa edhe prej sokaqeve ma të largëta të pazarit, vijshin shegertët (djelm të ri shërbyesa të tregtarve e dugajxhive qi i përdorshin për cdo lloj pune), me marrë ujë për zotnitë e tyne, pse uji i trumave tjera a i pusave, nuk ishte aq i mirë.

                E keshtu, Ditari i piktorit Simon Rrota vazhdon ma ndej me pershkrimin e zakoneve, festave, dasmave, vdekjeve, ....etj, ... te cilat do te vijne rasti qi te ja paraqes lexuesit njihere tjeter.....

 

Wien, me 23.10.2017