19
D, N
3006 New Articles

Vepra e panjohur e Martin Camajt për gjakmarrjen

KULTURE
Typography

Ka hapur siparin sot edicioni i parë i Festivalit të  dramës shqipe  “MetroFest”, organizuar nga Qendra Kulturore Tirana (Teatri Metropol). Në këtë edicion të parë të festivalit janë përzgjedhur vepra të panjohura të arkivit, si “Loja e Mbasdrekës” e Martin Camaj, “Armiqtë” e Shpëtim Ginës dhe “ I biri i Begut” e Milo Duçit.

“Është një festival i përvitshëm i Teatrit Metropol, i cili do të ofrojë në çdo edicion të tij, eksplorimin e një aspekti të ndryshëm të teatrit. “Jemi shumë të entuziazmuar që këtë edicion të parë vendosëm që të hulumtonim disa nga veprat shqiptare të arkivave, të cilat për një arsye ose një tjetër nuk e kanë prekur kurrë skenën.

Fokusi ynë, është te krijimi i një marrëdhënie të shëndetshme me veprën shqiptare”, shpjegon Jonida Beqo, drejtore e Teatrit Metropol.  Veprat vihen për herë të parë në skenë nga regjisorët, platformat e të cilëve janë përzgjedhur me platformat e tyre gjatë audicionit në Teatrin Metropol. Përkatësisht; “Loja e Mbasdrekës” nga Martin Camaj, e cila do të vihet në skenë nga Shkëlzen Berisha, vepra e dytë është “I biri I Begut”, vepër e shkruar nga Milo Duçi dhe me regji nga Joana Omeraj si dhe vepra e ndaluar e Shpëtim Ginës me titull “Armiqtë” që do të vihen në skenë nga Xhuljano Brisku.

Gjithashtu në “MetroFest” do të marrë pjesë shfaqja “Rrno për me tregue” e At Zef Pllumit me regji nga Milto Kutali si dhe disa pjesë inskenim të “Njollat e murrme” e shkruar nga Minush Jero dhe regji nga Sonila Kapidani. Gjatë ditëve të festivalit do të ketë edhe dy lexime veprash, “Foleja Kombëtare” nga Lumo Skëndo si dhe “Prangat” nga Halil Laze dhe pas çdo shfaqjeje do të organizohen panele diskutimesh për çdo vepër përkatëse.

“Në fillim të pranverës ne shpërndam këto tekste në klasat e regjisë master në Universitetin e Arteve, për të na paraqitur më pas secili platformën e tij regjisoriale. Si pjesë integrale e punës me veprën shqiptare dhe teatrin shqiptar, pyetja e vazhdueshme është se kush do ta trashëgojë dramë shqipe, kush po vjen tani e kush do të vij më pas,  kush do vazhdojë këtë punë e kush do ta çoj më tej? Tre regjisorët e veprave shqiptare u përzgjodhën si rezultat i këndvështrimit që kishin mbi këto vepra”, thotë regjisorja Beqo.

“Loja e pasdrekës” e Martin Camajt do të vihet në skenë nën regjinë e Shkëlzen Berishës. Në qëndër të veprës është fenomeni i  gjakmarrjes. Është shkruar në vitin 1981, dhe është botuar në vitin 1995. Ngjarjet në veprën “Loja e Mbasdrekës” zhvillohen në një fshat të malësisë së Dukagjinit, duke nxitur ndjesinë e lartësisë që vjen prej klimës së alpeve. “Loja” përdoret me mjeshtri në këtë shfaqje si nocion që e vendos njeriun mes “sajimit” dhe “së vërtetës”.

E konsideruar nga regjisori jo vetëm si proces krijues, por si proces kulturimi e zgjerimi të dijeve gjuhësore, historike e sociale, puna  për realizimin e kësaj shfaqjeje ka qenë një rrugëtim mjaft i fuqishëm dhe nxitës që ngre pyetje që çojnë në një hapësirë të re thellimi e jo që gjen dhe jep përgjigje statike: Çfarë është drejtësia? Çfarë është padrejtësia? Vepra “Armiqtë” vjen nën regjinë e Xhuliano Briskut .Një autor i ri, por shumë i veçantë e kërkues është quajtur Shpëtim Gina nga shumë njerëz që e kanë njohur ose punuar me të, që fatkeqësisht u nda nga jeta para kohe. Vepra “Armiqtë” e nisur për t’u vënë në skenë në vitet ’70-të do të shfaqet më në fund për herë të parë në Teatrin Metropol në Festivalin MetroFest.

Ngjarjet e dramës zhvillohen në Itali, viti 1943. Një fshat i humbur në një krahine të largët. Shtëpia e plakës Terrinë. Në anën tjetër të kënetës, një kamp përqendrimi nga vijnë krisma, thirrje, lehje qensh. Është arratisur dikush. Një shqiptar e një italian. Si perceptohet një luftë nga njerëz të ndryshëm me kultura dhe jetë të ndryshme? Si dhe kush është armiku kur bëhet fjalë për mbijetesë? Personazhet jetojnë në presion dhe ky presion i çon të kërkojnë shtigje prej nga mund të kuptojnë gjithë çka ndodh e sit ë dalin prej saj.

Çdo gjë që i përplas ata në atë bodrum, në atë arratisje, është dëshira për liri e cila njëkohësisht krijon ankth. “I biri I Begut” risjell në teatër Milo Duçin nën regjinë e Joana Omeraj. Kjo shfaqje shkruar nga Milo Duci e botuar në Kajro, do t’i prezantojë publikut rrethanat sociale e familjare në të cilat kanë jetuar familjet shqiptare në Kaninë të Vlorës, një zonë me tjetër dinamikë jetese nga ajo e sotmja, me një tjetër shqipe të artikuluar nga personazhet nga ajo që flasim sot, por me halle e probleme që shqetësojnë njeriun në çdo kohë e hapësirë. Historia flet për një gjyshe të pasur e cila ka rritur për 25 vite me radhë dy djem të mbetur jetimë.

Gjatë këtyre 25 viteve ajo pyet veten se cili është nipi i saj i vërtetë? I do të dy njësoj, i ka rritur njësoj, por dy djemtë kanë karaktere të ndryshme dhe një ditë njëri prej tyre humb jetën duke lënë kështu pa përgjigje gjyshen se cili është në të vërtetë nipi I saj. Në situata komike, personazhet gjenden të trazuar nga padija, zakonet dhe dëshirat, zilia e interesi për para, deri në fund kur ndodh humbja. Shfaqja vjen e freskët, me ngjyra të gjalla e të shumta si dëshmi e viteve për të cilat teatri nuk ka edhe shumë realizime në skenë, por që shqiptarët e atëhershëm këmbëngulnin për botim. Pikërisht frymëmarrja e saj do të jetë fije lidhëse me të kaluarës e të sotmen.

Kalendari i Festivalit në datat 1 – 4 nëntor

1 NENTOR

“Loja e mbasdrekës”, autor: Martin Camaj, regjia: Shkëlzen Berisha

Ora 19:00

2 NENTOR

“Rrno për me tregue”, autor At Zef Pllumi, regjia: Milto Kutali

Ora 19:00

Lexim : “Foleja Kombëtare”, autor  Lumo Skëndo

Ora 12:30

3 NENTOR

“Armiqtë”, autor : Shpëtim Gina, regjia: Xhuljano Brisku

Ora 19:00

Lexim: “Njollat e murrme”, autor Minush Jero

Ora 13:00

4 NENTOR

“I biri I begut”, autor Milo Duçi, regjia: Joana Omeraj

Ora 19:00

Lexim: “Prangat”, autor Halil Laze

Ora 13:00