19
D, N
3006 New Articles

Warning: strpos(): Empty needle in /home/eetimes/public_html/templates/ja_teline_v/html/layouts/joomla/content/item/default.php on line 34

Përçudnimi që Ministria e Kulturës i bëri varrit që Kolë Idromeno skaliti për vete

KULTURE
Typography

Më datë 2 nëntor, kalendari i krishterë kremton “Ditën e të gjithë të vdekurve” (ose “Dita e shpirtnave t’Purgatorit), ditë e cila në Shkodër ka një rëndësi të veçantë. Në varrezat e Rrmajit, të shpallura “Monument Kulture” pak vjet më parë, aty ku u kremtua e para meshë publike pas sa e sa viteve, njerëzit vijnë dhe ulen në gjunjë pranë varreve të të afërmve. E mes gjithë atyre njerëzve, të vdekur e të gjallë, një varr i cili dikur mbarte madhështinë e një engjëlli, rri i vetmuar.

Ky varr, i vendosur në anën e djathtë të varrezave, atje ku janë edhe varret më të hershme, është ai i Kolë Idromenos. Askush nuk kujtohet më për të… dhe, në fakt, mirë bëjnë! Një herë që u kujtuan, e përçudnuan!

Duke e paramenduar vetminë e varrit të tij, artisti i madh Kolë Idromeno, me duart e tij, gdhendi një engjëll dhe e vendosi aty, me shpresën që të paktën Ai të mos largohej asnjëherë dhe të lutej për të. Komunizmi nuk e lëvizi, ama pak kohë më parë, sistemi i ri i “kulturës” e degdisi në një gjendje të mjerueshme.

Jam i bindur se ekzistonte dëshira për të bërë diçka të mirë kur u mendua restaurimi i atij varri, e njëherazi me të, edhe i engjëllit, por në të vërtetë, engjëllit i dhanë trajtën e një shëmtire të copëtuar e të sakatuar, pa tipare të dallueshme dhe pa asnjë shenjë engjëllore.

 

Me bojë plastike i ngjitën gishtat, duke mos e lënë t’i bashkonte për t’u lutur për Kolën. I bashkuan flatrat, duke mos e lënë të fluturonte lart e të ndërmjetësonte për krijuesin e vet. I lyen fytyrën, e cila më pas u plasarit duke i dhënë një pamje më tepër satanike se të shenjtë. E në fund u larguan dhe e lanë ashtu, në atë gjendje të mjerueshme, gjendje e denjë vetëm për vitet e komunizmit.

Ku e marrin të drejtën këta “restauratorë”, të financuar nga projektet e Ministrisë së Kulturës, për të çuar në atë gjendje një ndër të paktat krijime të gjalla të Idromenos? Ku e marrin të drejtën të shkatërrojnë, dhe të jeni të bindur, siç dëshmojnë edhe fotografitë e mëposhtme, e kanë shkatërruar, një monument me vlera të rralla?

 

Skulptura e Idromenos ka mbetur e gjallë në vetëm pak krijime: “Statuja e Shën Mëhillit”, e vendosur në Katedralen e Shën Shtjefnit, Maska e një Kllouni, e vendosur në hyrjen e “Kafes së Madhe” (e nisur gjithashtu drejt degradimit) dhe ai engjëll i gjorë, i krijuar hyjnisht i pastër, por restauruar dreqësisht keq!

Me qepallat e mbuluara nga boja e plasaritur, engjëlli mundohet të shohë drejt qiellit për ndonjë shpëtim. Një shpëtim që ka frikë të vijë, pasi e di se nuk do të mund të rronte gjatë pa u shkatërruar.

© Andreas Dushi | Konica.al