19
D, N
3006 New Articles

Vaçe Zela me shoqëruese nga pas, Anida Take dhe roli i saj

KULTURE
Typography

Pak ditë më parë, kantautori Kujtim Prodani, djali i këngëtares Anida Take dhe Agim Prodanit, gjeti në kujtimet e vjetra të shtëpisë një fotografi që ishte e rrallë edhe për atë vetë: nëna e tij, në moshë të re, vetëm 22 vjeçe, pozonte në fotografi me këngëtaren Vaçe Zela, disa vite më e re se shoqja e saj, vetëm 16 vjeçe.

“Shikoni çfarë gjeta…”, shkruante Kujtimi në rrjetet sociale, ndërsa ne kërkuam që të dinim më shumë për këto kujtime të rralla të dy zonjave që nuk jetojnë më, por që kanë ndriçuar për vite të tëra skenën e këngës shqiptare.

Në këto kohë kur është shkrepur fotografia, karriera e të dyjave (Anidës pak më herët) sapo kishte filluar.

Të dyja udhëtonin nëpër koncerte që zhvilloheshin jashtë shtetit dhe fotografia në fjalë i ka gjetur në Moskë. Kujtimi na tregon se çfarë i ka treguar e ëma kur i fliste për koleget, konkretisht për këtë fotografi…

”Nuk kujtoj që Anida të ketë qenë mikeshë me Vaçen, kanë qenë vetëm kolege dhe kanë pasur shoqërinë e mirë që mund të kishin dy kolege.

Më ka treguar se në këtë rast, kur kishin udhëtuar në Moskë, Vaçes nuk i lejohej që të dilte vetëm në qytet sepse ishte në moshë shumë të vogël, vetëm 16vjeçe, prandaj Anida kishte dalë me të për ta shoqëruar.

Nga ana tjetër, mund të them se bashkëpunimet më të shumta Vaçja i ka pasur me tim at. Ai e çmonte shumë profesionalisht, por vlerësonte sidomos inteligjencën e saj, aq të domosdoshme për një artiste për të qenë e kompletuar, siç ishte Vaçe Zela.

Udhëtimi drejt Moskës nuk ka qenë i vetmi për to. Kanë udhëtuar shpesh edhe me Estradën e Tiranës”, kujton Kujtimi, gjithnjë i prekur kur flitet për të ëmën, Anida Taken, zërin e bukur të këngës shqipe.

Ndërsa ajo vetë, në intervistat që ka dhënë dikur, për marrëdhënien e saj me kolegët, është shprehur: “Marrëdhëniet e mia me kolegët kanë qenë shumë të mira, madje do të thosha më shumë se të mira.

Në atë kohë, duke qenë se ishim shumë pak këngëtarë dhe krijues, qëndronim shumë më afër njëri-tjetrit. Unë kam pasur partnere dhe partnerë në skenë, me të cilët ruaj kujtime shumë të bukura.

Pjesa më e madhe e tyre nuk jetojnë më, por unë i kujtoj akoma me respekt. Kujtoj me respekt edhe ata që jetojnë dhe kur mblidhemi nëpër festa të ndryshme, kujtojmë me shumë nostalgji periudhën që kemi kaluar bashkë, si dhe arritjet dhe zhgënjimet në fushën e muzikës. Në kohën kur unë nisa rrugën e këngës, kishte pak këngëtarë dhe kompozitorë në Shqipëri.

Në atë kohë ishte një bërthamë e vogël këngëtarësh dhe kompozitorësh, që kishin studiuar jashtë Shqipërisë, si në Austri dhe në Itali. Unë i përkas atij brezi, që dolëm si luledelet, që dalin pas një shiu në pranverë. Ashtu filluam të dalim edhe ne, katër apo pesë këngëtarë, ku më pas vitet bënë që të dalin qindra e qindra këngëtarë, të cilët debutuan dhe vazhdojnë të debutojnë me shumë dinjitet brenda dhe jashtë Shqipërisë”, ka thënë Take.

MOMENTI MË PREKËS NË KARRIERËN E TAKËS, GJATË TURNEVE
Ajo nuk e harroi asnjëherë momentin e dhimbshëm që ka përjetuar gjatë karrierës së saj artistike, pikërisht kur ka qenë në turne.

Siç e ka treguar vetë, lotët nuk janë përmbajtur kur ka kënduar këngën e nënës: “Ky çast prekës më kujtohet edhe tani dhe lidhet me periudhën kur më kishte vdekur nëna ime. Për ta larguar dhimbjen dhe për të qëndruar larg zakoneve, unë isha larguar posaçërisht nga Shqipëria për një turne në Europë. Pasi qëndrova më shumë se tri javë larg Shqipërisë, më bëjnë një telefon dhe më ftojnë për të marrë pjesë në Festivalin e Pranverës.

Në këtë festival unë do të merrja pjesë si e ftuar. Erdha dhe këndova pikërisht këngën e nënës, ngaqë në atë kohë ne ishim në prag të festës së 8 Marsit. Teksa këndoja këtë këngë, befas m’u kujtua nëna ime, që kishte dy javë që kishte vdekur. N

isur nga kjo, unë u mallëngjeva shumë, saqë shpërtheva në lot. M’u trash edhe zëri dhe nisur nga kjo, i kërkova falje spektatorit, që kishte mbushur sallën. Më pas mora frymë thellë, e përsërita këngën dhe papritur pashë që edhe spektatorët, të prekur thellë dhe të emocionuar nga ajo që më ndodhi mua, shpërthyen në duartrokitje të zjarrta. Në ato momente mua m’u duk sikur e pata të gjallë nënën time”./bw