19
D, N
3006 New Articles

Ekspozita “Marubi”/ Fotot historike që artistja angleze me origjinë shqiptare, sjell për publikun…

KULTURE
Typography

A mund të harrohet gjaku? A duhet dëgjuar thirrja e tij e mandej rrëke gjaku të lagin tokën, ku rritet buka. Dhe gjaku ushqehet me gjak.

Lala Meredith-Vulën e thirri në Kosovë, toka e të parëve, por si një artiste e formuar në Perëndim, do të shihte në peizazhin shqiptar, forma artistike, që askush më parë nuk i kishte parë si të tilla.

Filloi të fotografojë mullarët, që sapo ngrihen kanë forma të rregullta, si kësula lebërish, por më vonë, gjatë konsumimit krijojnë forma nga më të çuditshmet. Por vetëm pas dy vitesh nga ndërmarrja e këtij projekti, do të niste një tjetër, që lidhej me pajtimin e gjaqeve. Janë këto dy projekte, “Mullarët” dhe “Kujtesa e gjakut”, të përfshira nën titullin “Urtësi sot e mot”, që artistja angleze me origjinë shqiptare, ka sjellë në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi, kuruar nga Monika Szewczyk.

Një projekt që, më së pari, është prezantuar në ekspozitën ndërkombëtare “Documenta 14” në Athinë dhe Kassel, ku mes kuratorëve të aktivitetit ishte edhe Erzen Shkololli. Sipas kuratores Szewczyk, punët e Lala Meredith-Vula, dëshmojnë për krizën e njeriut bashkëkohor. Ajo vetë ndihet dyfish e emocionuar në hapjen e ekspozitës, edhe për faktin se veprat e saj do të jenë të rrethuara nga ato të Marubëve, një dinasti fotografësh, famën e të cilëve do të donte të kishte çdo fotograf tjetër.

Dhe ambienti ku ato janë ekspozuar janë një vlerë e shtuar për ekspozitën e fotografes, pasi fotografitë e saj bardhë e zi, duken si një vijimësi e kësaj tradite, por nga ana tjetër, temat që ato trajtojnë, kanë qenë pa dyshim shqetësime edhe të personazheve të fiksuar nga Marubët. Ndaj, edhe pjesë e projektit të paraqitur është bërë edhe një imazh historik-ai i fotografisë së Kel Marubit në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Kalanë e Shkodrës, më 19 mars 1914, pjesë e ekspozitës “Rroftë!”, kuruar nga Blerta Hoçia.

PROJEKTET

Në gusht 1988, katër ditë pas instalimit të ekspozitës së famshme, “Freeze” me studentët e artit të Goldsmith, Lala Meredith-Vula e la Londrën (qytet ku ishte vendosur në moshën katërvjeçare pas ikjes nga Sarajeva) për të shkuar në fshatrat kosovarë, ku ajo filloi të fotografonte mullarët, që i dukeshin sa artistikë aq edhe një lidhje me tokën e të atit. Pas tri dekadash dhe qindra fotografish, projekti vazhdon akoma.

Roli i Meredith-Vula si dëshmitare u transformua, kur në vitin 1990, ajo mësoi mbi planet e pajtimit të gjaqeve në rajonin ku kishte fotografuar mullarët. Duke vënë mënjanë për pak kohë magjepsjen nga skulpturat rurale, ajo e orientoi objektivin e saj drejt qindra njerëzve që grumbulloheshin nën drejtimin e folkloristit dhe studiuesit Anton Çeta (1920-1995), për të përmbyllur në mënyrë ceremoniale, gjakmarrje që kishin vazhduar për shekuj të tërë, duke paralizuar kështu edhe komunitetet.

Fotografitë e saj dëshmojnë për ato momente historike, ku njerëz, gati të hipnotizuar, ndjekin profetin e tyre. Ekspozita, e cila do të jetë e hapur deri në 21 janar, do të shoqërohet edhe me biseda rreth kësaj teme.

/Panorama