24
H, P

Erdogan "Sulltani i ri", 51.3% e turqve i japin pushtet absolut

BOTA
TIPOGRAFIA

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka fituar referendumin për ndryshimet kushtetuese, duke siguruar kështu pushtetin absolut. 

Nga numërimi i 99% të votave të 55 milionë turqve që u ftuan t'i drejtoheshin kutive të votimit, 51.3% e tyre i janë përgjigjur me "Po" referendumit për pushtet të pakufizuar për presidentin turk.

Kundër votuan 48.7% e votuesve, por edhe pse rezultati është i ngushtë, shifrat i mjaftojnë Erdoganit për të fituar referendumin dhe për rrjedhojë blinduar pushtetin e tij. 

Erdogan shpall fitoren përpara mediave
Presidenti turk shpalli fitoren e referendumit gjatë një konference për shtyp përpara mediave, duke deklaruar se vota e qytetarëve bëri që Turqia të marrë në dorë të ardhmen e saj. 

"Ju shpreh mirënjohjen time për këtë votim të drejtë. Jam i kënaqur nga votimi pro ndryshimeve kushtetuese. Ndryshimet kushtetuese do të jenë në favor të vendit tonë dhe ato do të zbatohen gradualisht", u shpreh Erdogan. 

Ndërsa nga ana tjetër opozita ka paralajmëruar se do të ankimojë 60% të votave të referendumit, pas dyshimeve për manipulime. 

Megjithatë, mbështetësit e Erdogan janë në festë dhe kanë mbushur rrugët e qyteteve turke. 



Referendumi për Erdogan
"Po" shtimit të kompetencave - 51.3%

"Jo"  shtimit të kompetencave - 48.77 %

Çfarë ndryshon në Kushtetutën turke?
Rreth 55 milionë turq u ftuan këtë të dielë në votimit, për të thënë fjalën e tyre në referendumin tejet polemizues për Kushtetutën e re, që e vesh me fuqi shtesë presidentin Recep Tayyip Erdogan dhe kthen në pozicion honorifik postin e Kryeministrit, duke e zhveshur krejtësisht nga kompetencat. 

Në kuadër të ndryshimeve kushtetuese të 18 neneve, parashikohet rritja e numrit të deputetëve nga 550 që është aktualisht të shkojë në 600 dhe ulja e moshës për deputet nga 25 në 18 vjeç.
 
Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të bëhen një herë në 5 vite dhe në të njëjtën ditë. Personit të zgjedhur si president nuk do ti hiqet lidhja me partinë.

Parlamenti do të ketë më pak pushtet vendi shndërrohet në Republikë Presidenciale.
 
Kandidati për president mund të zgjidhet nga grupet parlamentare, partitë të cilat kanë marrë më shumë se 5 për qind të votave në zgjedhjet paraprake, ose me firmat e 100 mijë qytetarëve.
 
Nëse Presidenti akuzohet për diçka, parlamenti do të ketë mundësi që me një shumicë të theksuar ti hapë rrugën e dërgimit përpara drejtësisë.
 
Zëvendësit e Presidentit dhe ministrat do të mund të zgjidhen dhe shkarkohen nga presidenti. Ngritja e ministrive të reja, heqja, dhënia e detyrave, apo organizimi i tyre do të bëhet me vendim të presidentit.
 
Parlamenti me tre të pestat e votave do të mund të dërgojë vendin në zgjedhje të reja.
 
Nëse presidenti vendos për zgjedhje të reja, zgjedhjet presidenciale bëhen bashkë me ato parlamentare.
 
Nëse parlamenti vendos të shkojë në zgjedhje të parakohshme, gjatë mandatit të dytë të presidentit, atëherë presidenti në detyrë do të ketë të drejtë të hedhë përsëri kandidaturën.
 
Numri i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese do të ulet nga 17 në 15.
 
Zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale pas referendumit do të zhvillohen më 3 nëntor 2019.
 
Superfuqitë e Erdogan:
 
-Presidenti do të ketë pushtetin të emërojë zyrtarët publike duke përfshirë ministrat.
 
-Do të mund të caktojë një ose disa zv/presidentë.
 
-Posti i kryeministrit që aktualisht mbahet nga Binali Yildirim mund të mos ekzistojë.
 
-Presidenti do të ketë fuqinë të ndërhyjë në sistemin gjyqësor si dhe të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme.