17
E, G

Shpërthim pas koncertit në Mançester, 22 të vdekur dhe 50 të plagosur

BOTA
TIPOGRAFIA

Ai në “Arena” të Mançesterit, është sulmi terrorist që ka shkaktuar më shumë viktima në ishullin britanik që prej 7 korrikut 2005, kur në Londër katër bomba të vendosura nga Al Kaeda në mjetet e transportit publik, vranë 56 persona, përfshirë dhe katër kamikazët dhe plagosën rreth 700 të tjerë.

Shefi i policisë së Mançesterit, Ian Hopkins ka konfirmuar pistën e terrorizmit në shpërthimin që ndodhi mbrëmjen e së hënës në një sallë koncertesh.

“Personi që sulmoi “Manchester Arena” ka vdekur në vendin e ngjarjes menjëherë pasi ka aktivizuar eksplozivin”, ka deklaruar Hopkins.

Zyrtari i lartë ka shtuar se hetuesit po përpiqen të zbulojnë nëse personi ka vepruar i vetëm apo ka pasur bashkëpunëtorë. Bilanci i fundit flet për 22 të vdekur dhe mbi 60 të plagosur.

Në kanalet që mbështesin ISIS-n, është duke qarkulluar një video që shfaq kamikazin e mundshëm të Mançesterit me fytyrën të mbuluar. Nuk është akoma e qartë nëse bëhet fjalë për një video të rreme ose jo. Në nëntor, Kalifati kishte shpërndarë një video me instruksione të detajuara se si mund të realizohet një bombë.

Ndërkohë, kryeministrja Theresa May ka publikuar një mesazh ngushëllimi dhe solidariteti për familjet e viktimave, duke nënvizuar që episodi do të hetohet si “një sulm i tmerrshëm terrorist”.

Ndërsa këngëtarja amerikane Ariana Grande, e cila pak para shpërthimit kishte performuar në skenë, u shpreh: “Jam e shkatërruar, nga thellësia e zemrës sime. Nuk ka fjalë”, – shkruan ajo në “Twitter”.