18
Mer, T
2793 New Articles

Tiranë/ Policia “i vë drynin” xhamisë së Et’hem Beut si në kohën e diktaturës

SOCIALE
TIPOGRAFIA

Është e paprecedentë ajo që ka ndodhur së fundi ku policia e kryeqytetit ka urdhëruar mbylljen e xhamisë historike të Et’hem Beut në qendër të Tiranës, me pretendimin se hyn brenda perimetrit të sigurisë së pranisë së krerëve ushtarakë të NATO-s, të vendosur në Hotel Plazza, pra pak metra larg këtij objekti kulti.

 

Imami i xhamisë, Elton Karaj, i kontaktuar në telefon, tha se vendimi i është komunikuar nga ana e autoriteteve policore të Tiranës, dhe se kjo vlen përsa kohë do jenë prezentë ushtarakët e lartë në kryeqytet, me gjasë deri nesër paradite.

 

Pra, gjatë ditës së sotme, duke nisur nga mëngjesi i hershëm kur kryhet dhe falja e parë, e deri paraditen e së hënës, xhamia do jetë e mbyllur për besimtarët, një precedent i ndodhur vetëm nën komunizëm për dekada me radhë, sa xhamia ekziston prej qindra vitesh.

 

Nga ana tjetër, ka zëra që KMSH-së nuk është komunikuar vendimi për mbylljen e xhamisë, por krerët e saj ende nuk janë prononcuar.

 

Mbyllja e Et’hem Beut, qoftë dhe për 24 orë, tregon se medalja e Shqipërisë si vend i paqes dhe i tolerancës fetare më unike në botë, ka raste kur konsiderohet pa asnjë vlerë.

 

Policia shqiptare ka të gjithë instrumentat për të ofruar siguri, pa qenë nevoja e mbylljes së një xhamie, që më tepër kur është historike dhe monumentale, duke i privuar besimtarët nga e drejta e ritit të faljes, pjesë e të drejtës së besimit, por dhe cënuar vlerat fetare, kombëtare dhe identitare, shprehur në objekte të tilla. 

/tesheshi.com/