18
Mer, T
2793 New Articles

Divorcet, arsyet pse po rriten dhe pasojat ekonomike

SOCIALE
TIPOGRAFIA

Tashmë nuk është një sekret që divorcet janë të shtrenjtë. Mes punësimit të avokatëve dhe ekspertëve të veçantë për këto çështje dhe ndarjes së pasurisë së përbashkët, për të filluar përsëri jetën me një burim të vetëm të ardhurash, kostoja e divorcit po rritet. Arsyet pse po shtohen çiftet që ndahen dhe pasojat afatgjata ekonomike

Nga Deada Hyka

“Derisa vdekja të na ndajë”. Duket se shqiptarët nuk po i qëndrojnë besnikë kësaj shprehje në vitet e fundit. Mjafton t’u hedhim një sy shifrave të përllogaritura nga INSTAT, 31 divorce në 100 martesa në vitin 2016. Po pse po ndodh kjo? Arsyet kryesore, që japin ekspertët ligjorë dhe ata të fushës psikologjike, lidhen fort me shoqërinë shqiptare ndër vite: dhuna, varfëria, emigracioni, mblesëritë. Por, duket se të tjera arsye po bëhen të dukshme, si rritja e pozicionit të femrës në shoqëri, diferencat në arsim dhe në prioritet, apo edhe bixhozi etj. Divorci është një proces i gjatë, i lodhshëm, i kushtueshëm dhe shpeshherë me pasoja të rënda shoqërore.

Divorcet janë të shtrenjta për palët e përfshira dhe ky proces ka edhe implikime në ekonominë e një shteti. Në studime të fundit ndërkombëtare, janë gjetur lidhje mes normës së divorceve dhe ekonomisë së shëndetshme. Me divorcin vjen nevoja për një shtëpi tjetër (në rastin konkret me qira), burim energjie dhe ujë, kosto transporti dhe shpenzime të tjera. Duhen pasur parasysh edhe pagesat për kujdesin e fëmijëve (në rast se ka) pas divorcit, pagesa për bashkëshorten (e rënë dakord në gjykatë apo edhe sipas ligjit të ndarjes së pasurisë), si dhe sistemi i sigurisë sociale (në rast lëshim urdhri mbrojtje, strehimi i një ish-bashkëshorteje nga shteti etj.

Avokate Denisa Daka tregon për “Monitor” se divorcet në Shqipëri kanë një kosto të konsiderueshme, jo vetëm për partnerët që kërkojnë zgjidhjen e martesës, por edhe për shtetin. Faktori kryesor për këtë, në shumicën e rasteve, është paaftësia ekonomike e bashkëshortëve që të paguajnë pensionin e caktuar për fëmijët dhe kjo bën që gratë, në këtë rast, t’i drejtohen shtetit për ndihmë. Një tjetër faktor që lidh drejtpërdrejtë divorcin me ekonominë e shtetit është rritja e numrit të të papunëve. Në rastin konkret, pas divorcit, gruaja në shumicën e rasteve, duke u cilësuar e papunë, u drejtohet zyrave të shtetit për ndihmë.

Psikologe Redina Balla, pohon se në muajt e fundit, në dyert e gjykatës rasti i divorceve ka arritur edhe 15 në ditë. Sipas saj, procesi i shkurorëzimit është i gjatë dhe i kushtueshëm. “Nis me 3 mijë lekë kërkesëpadia për divorc, vijon me punësimin e avokatit dhe në rastin e pranisë së një fëmije të mitur, me nevojën e ekspertit psikolog, i cili paguhet nga palët, jo Gjykata”, – tregon znj. Balla. Ekspertja psikologe shton se ky është vetëm hapi i parë dhe pas divorcit ka pasoja më të mëdha, të cilat rëndojnë kryesisht mbi femrën. Ajo tregon se një pjesë e madhe e femrave janë privuar nga edukimi dhe shkollimi. Përballë situatës që do të jetojnë vetëm, ato bëhen barrë e familjes së tyre (prindërve), të cilët në zona rurale janë kryesisht me pak të ardhura, duke thelluar kështu varfërinë.
Në rastet e divorceve ku shkaku ka qenë kumari, ekspertja pohon se kanë qenë të shumta gratë që kanë marrë edhe kredi për të shlyer borxhet e bashkëshortit.
Kjo gjë i ka prekur shumë financiarisht më pas, në kushtet kur pagat janë të ulëta.

 Divorcet, në rritje drastike

Sipas shifrave të fundit të bëra publike nga INSTAT, divorcet kanë shënuar rritje drastike nga viti 2001 në vitin 2016, përkatësisht nga 9,6 në 31 divorce për 100 martesa. Viti 2016 shënon numrin më të lartë të divorceve ndër vite, 5.582 divorce.

Evidencat statistikore të marra nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë tregojnë se nga janari i këtij viti deri në shtator, ka pasur në total 1393 padi për zgjidhje martese, ku jo të gjitha rastet janë përfunduar dhe 50 prej tyre janë ankimuar. Nga ana tjetër, edhe rastet për caktimin e kujdestarisë janë të shumta. Në të njëjtën periudhë kemi 48 padi, 3 prej të cilave ankimuara. Një tjetër çështje civile që u shtohet rasteve të natyrës familjare, është pjesëtimi i pasurisë bashkëshortore. Janë gjithsej 98 raste në 8 muaj të këtij viti, 5 prej të cilave të ankimuara.

Po t’i referohemi vjetarit të statistikave të Ministrisë së Drejtësisë, për vitin 2015, togat e zeza zgjidhën 7,080 lidhje martesore. Tirana rezulton qyteti me numrin më të madh të divorceve, 1,665, nisur edhe nga fakti se është qyteti me më shumë banorë në Shqipëri.
Referuar të dhënave, vihet re se gjatë 2015-s, numër i lartë i divorceve është regjistruar në qytetet bregdetare (kryeson Vlora me 735 çështje) dhe në ato me emigracion më të lartë si Elbasani (me 632 çështje).

Divorci dhe ulja e produktivitetit

Psikologët vlerësojnë se divorci është një proces i cili ka një ndikim afatgjatë në jetën e ish-partnerëve, duke i cenuar ekonomikisht. Kjo shkakton rënie të standardit të jetesës së mëparshme dhe në rastin e individëve në karrierë, ndikim në produktivitet. Stresi është ndër pasojat e divorcit, që shpeshherë është i gjatë dhe financiarisht i vështirë. Psikologët pranë Gjykatës së Tiranës tregojnë se dy nga katër nëna të divorcuara nuk marrin pagesën e plotë të mbështetjes së fëmijës. Disa të tjera detyrohen të braktisin punën që kanë pasur më parë, në kushtet e kërkimit të një pune të përshtatshme edhe me oraret e fëmijëve (ekonomikisht nuk përballohet prania e një dadoje apo kopshti/shkolle private). Gjatë procesit të kërkimit të punës, shpesh hasin paragjykime apo vështirësi.

 Divorci dhe rritja ekonomike

Divorci është një rrezik kyç i jetës që zakonisht ka pasoja të konsiderueshme ekonomike, si dhe efekte negative për shëndetin dhe mirëqenien. Në vendet e OECD-së janë krijuar struktura të posaçme institucionale për të ndihmuar në menaxhimin e pasojave të shkurorëzimit dhe reduktimin e efekteve të saj ekonomike.

Këto përfshijnë masat e ligjit familjar, mbështetjen e fëmijëve, të ish-bashkëshortëve dhe sistemin e sigurimeve shoqërore. Raporti për disa vende të OECD shkruan se divorci ka pasoja negative ekonomike, veçanërisht për gratë.

Ekonomistët thonë se martesa është një kontribuues i rëndësishëm për rritjen ekonomike. Ata pohojnë se martesat e shëndetshme janë provuar që nxisin rritjen ekonomike. Sipas tyre, arsyeja lidhet me rritjen e numrit të përgjithshëm të ekonomive familjare, në shumë raste të shëndosha. Kur çiftet janë të divorcuara, bërthama familjare shpërbëhet, kërkohet më shumë strehim, energji dhe burime. Sa më e lartë shkalla e shkurorëzimit, aq më shumë pasoja negative ka në ekonomi.

Burimi: Monitor