19
D, N
3006 New Articles

Lajm i mire/ Ne 2018-en librat do te jene falas per nxenesit

SOCIALE
Typography

Për vitin shkollor 2018-2019 tekstet shkollore do të jepen falas nga Ministria e Arsimit për rreth 33 mijë nxënësit e arsimit parashkollor, nga klasa e parë deri në klasën e pestë.

Ky është një nga pikat e caktuara si prioritet nga Ministria për të ardhmen e arsimit shkollor dhe parashkollor.

Shpërndarja e librave falas nënkupton gjithashtu se më shumë familje mund të përballojnë ekonomikisht edukimin e fëmijëve të tyre, çka afron më tej objektivin për arsim gjithëpërfshirës, duke bërë që 100% e fëmijëve të grupmoshave 6-16 vjeç të ndjekin arsimin 9-vjeçar.

Ministria pret të rritet treguesi i regjistrimit me 10-15% për nxënësit romë dhe egjiptianë, si dhe 10% për nxënësit me aftësi të kufizuar. Në ndihmë të këtyre të fundit, deri në vitin 2020 synohet të dyfishohen mësuesit për fëmijët me AK, nga 310 që janë aktualisht.

Por rritja e frekuentimit do të kërkohet edhe në Arsimin Parashkollor  për fëmijët e grupmoshave 3-6 vjeç. Vitin e ardhshëm pritet që aksesi për këtë grupmoshë të jetë në nivelin 85-86%, ndërsa deri në vitin 2020, të sigurohet nivelin 95-100%.

Nëse këto objektiva do të realizohen, braktisja shkollore në arsimin bazë do të shkojë drejt shifrës 0, nga 0.57% në vitin 2017.

Megjithatë synimi kryesor i MASR është rritja e performancës së arsimit, çka tregohet nga rezultatet dhe renditja e Shqipërisë në vlerësimin ndërkombëtar PISA.

Në mbështetje të këtij prioriteti, MASR do të synojë që të mos ketë më shumë se 28-30 nxënës për klasë, falë edhe investime në infrastrukturën shkollore. Gjithashtu, i gjithë sistemi parauniversitar deri në 2020-ën do të punojë me tekste dhe kurrikula të reja, analoge me ato të Bashkimit Europian.

Deri në 2020-ën gjithashtu do të rritet numri i Shkollave Qendër Komunitare me 20%, çdo shkollë e mesme do të ketë një psikolog dhe punonjës social, 100% e shkollave do të kenë shërbim interneti (aktualisht është 85%), ndërsa do të sigurohet dhe trajnimi e kualifikimi i të gjithë mësuesve sipas nevojave të identifikuara.

Angelo Haruni/SCAN