24
H, P
2107 New Articles

Zmijani: Vllaznia e sezonit të ri të nisë nga Cungu

SPORT
TIPOGRAFIA

Vetë deklaratat e tij, se do të vendosë në fund të këtij sezoni, se çfarë do të bëjë, i kanë trazuar jo pak gjërat në Shkodër. Të shumtë janë ata që duan ta kenë sërish në krye të kësaj skuadre, por ka edhe nga ata që mendojnë se dhe Cungu nuk solli ndonjë gjë të madhe. Për këto arsye, pritet me interes të shohim se çfarë do të ndodhë. Por është një emër shumë i njohur i futbollit shkodran dhe atij shqiptar, Hysen Zmijani, që është i qartë në këtë drejtim.

Ai shpreh bindjen e tij të plotë se drejtuesit e Vllaznisë nuk do ta lënë në asnjë mënyrë trajnerin të largohet, sepse kjo do të krijonte një problem të madh për skuadrën: “Nëse në sezonet e mëparshme ka patur shumë probleme, këtë sezon gjërat, nga sa po shikohet, po shkojnë më ndryshe. Kjo dhe falë profesionalizmit që ka treguar Armando Cungu si trajner. Ajo që do t’u këshilloja unë drejtuesve të klubit është mbajtja me çdo kusht e këtij trajneri dhe, bashkë me të, vazhdimi i këtij projekti, që sapo ka nisur. Uroj që të ndodhë kështu, sepse në rast largimi, problemet do të ishin të mëdha për Vllazninë”.

Ish-mbrojtësi i njohur i skuadrës shkodrane, por edhe i kombëtares shqiptare, më tej vlerëson rezultatet e fundit të kuqebluve: “Mjafton t’u referohemi rezultateve të fundit, që arriti skuadra. Ato lojtarë, që ishin edhe në fillim të sezonit, janë sërish. Nuk ka ndryshuar asgjë. Thjesht stafi u ka dhënë besimin e duhur dhe ata po e bëjnë më së miri detyrën e tyre. Shumica janë djem të rinj, të cilëve trajneri u ka dhënë mbështetje dhe ata po ia shpërblejnë. Kjo punë nuk duhet ndalur këtu. Sa i takon ndeshjes të së dielës me Partizanin, jam i bindur se Vllaznia ka për të shpalosur sërish vlerat e veta dhe do të kërkojë të marrë pikë. Mundësitë dhe dëshirën për ta bërë këtë gjë e ka”