29
H, M
2388 New Articles

Kalaja dhe Çinari kërcënojnë vlonjatët: Do t’ju marrim pikë!

SPORT
TIPOGRAFIA

Vllaznia do të ketë këtë fundjavë një transfertë mjaft të vështirë ndaj Flamurtarit, ku do të shkojë me objektivin e vetëm për të marrë pikë. Dy mesfushorët Arlind Kalaja dhe Erald Çinari kanë deklaruar se do të shkojnë në këtë ndeshje me objektivin e vetëm për të mos dalë pa pikë, edhe pse kundërshtari ndodhet në pozita të vështira dhe rrezikon rënien. Por, kuqeblutë kanë objektiv që të arrijnë vendin e katërt dhe për këtë i duhet me patjetër që mos bëjnë hapa falsë.

Vllaznia festa

KALAJA

“Mendoj se ekipi ynë po ecën në rrugën e duhur. Kemi treguar sidomos në takimet e fundit se jemi një skuadër me shumë grintë dhe karakter. Pikët e marra me ekipet që kërkojnë që të jenë kampion kanë bërë që edhe besimi se mund të jemi ne në vendin e katërt në fund të këtij sezoni të rritet. Nuk ka asnjë dyshim që për ne vijon të jetë një kampionat i vështirë, por falë punës së të gjithëve dhe besimit në rritje që kemi mund të kërkojmë në çdo takim të mos dalim pa pikë.

Një gjë të tillë do të kërkojmë edhe në takimin me Flamurtarin. Nuk do të jetë një sfidë e lehtë dhe këtë e dimë mirë, pasi Flamurtari është në pozita të vështira, por kjo nuk do të na pengojë që të bëjmë lojën tonë dhe të kërkojmë maksimumin. Shpresoj e besoj se nuk do të kthehemi pa pikë nga ajo përballje. Ne tani kërkojmë të mbajmë vendin e katërt”, u shpreh mesfushori me tipare sulmuese i kuqebluve, Arlind Kalaja.

 

 

ÇINARI

Mesfushori ka qenë një ndër lojtarët që ka goditur më tepër se asnjë tjetër në takimin e fundit portën e Partizanit. Gjuajtjet e tij janë ndalur falë aftësive të Alban Hoxhës që i ka mohuar golin shkodranit 21-vjeçar. Në prononcimin e tij, Erald Çinari është i mendimit se vendi i katërt në tabelën e klasifikimit i takon vetëm ekipit të tyre.

“Mendoj se thashethemet që u përhapën para takimit me Partizanin na motivuan edhe më shumë për të dhënë maksimumin tonë. Ishte kënaqësi që një grup lojtarësh që kemi vite që luajmë bashkë mbartëm peshën në këtë takim. Ne po kalojmë momente mjaft të mira dhe këtë duhet ta shfaqim edhe në takimin me Flamurtarin.

Patjetër që jemi të vendosur në rrugën që kemi nisur për të qenë në fund të sezonit në vendin e katërt. Të shënosh është gjithmonë kënaqësi. Shpresoj ta bëj në takimin me Flamurtarin, por për mua më shumë rëndësi ka të fitojmë edhe këtë përballje. Në këtë sezon kemi një objektiv që të jemi në fund të tij në vendin e katërt dhe gjithçka varet nga ne”, mbylli Çinari.

Admir Uruçi