25
H, SH
2759 New Articles

Orelesi: Te Vllaznia kam ardhur për të luajtur si mbrojtës

SPORT
TIPOGRAFIA

Nuredin Orelesi është një nga blerjet e kësaj vere të Vllaznisë. Futbollisti nigerian, pasi ka provuar të përfaqësojë Dinamon dhe Skënderbeun në futbollin shqiptar, ka vendosur të vishet kuqeblu tashmë.

Pasi ka firmosur kontratën me drejtuesit e klubit shkodran, Orelesi është prezantuar edhe para mediave, duke nënvizuar mes të tjerash se mund të bëjë pa problem edhe rolin e qendërmbrojtësit, jo vetëm atë të mesfushorit: “Nuk u mendova dy herë kur mora ofertën nga Vllaznia. Pranova të vij e të luaj me këtë skuadër, të cilën e njoh mjaft mirë, sepse kam luajtur për një kohë të gjatë kundër saj. Në skuadrat e mëparshme kam luajtur si mesfushor difensiv, edhe si mbrojtës qendre.

Këtu kam ardhur për të luajtur në mbrojtje dhe kjo nuk përbën problem për mua. Ndihem mirë me këtë transferim, sepse kam shumë shokë këtu në Shkodër. Të gjithë shokët e skuadrës u treguan miqësorë me mua dhe më pranuan. Ndihem mirë që stërvitem me këtë grup, edhe pse sapo jam bashkuar me të. Me tifozët ende nuk kam pasur mundësi të flas. Drejtuesit më treguan për kualitetet që dëshirojnë të afrojnë, sepse qëllimi është për të ndërtuar një skuadër konkurruese. Megjithatë, nuk mund të premtoj asgjë, sepse nuk më pëlqen të bëj premtime. Jam i përkushtuar ta ndihmoj Vllazninë që të bëjë paraqitje sa më të mira. Natyrisht, llogaritë do t’i bëjmë në fund, tashmë jemi në përgatitjet parasezonale dhe s’mund të flasim para kohe.”