20
H, N
3024 New Articles

Orelesi bën bomberin, Vllaznia shënon një “thes” me gola në miqësore

SPORT
Typography

Vllaznia ka arritur të fitojë thellësisht në takimin miqësor të zhvilluar dje me ekipin e Petnjicës, një klub i niveleve të ulëta në Malin e Zi.

Një fitore me shifra të thella, por që nuk janë një tregues i forcës reale të Vllaznisë. Kjo miqësore ka vlejtur më shumë për trajnerin Armando Cungu për të bërë kolaudimin e skuadrës në këtë periudhë përgatitore në Berane të Malit të Zi.

Shifrat 10-0 nuk janë një tregues i forcës reale, për vetë kundërshtarin që kishin përballë. Në këtë takim kanë dalë në skenë prurjet e merkatos së verës, ku Nuredin Orelesi dhe Gilman Lika kanë shënuar nga dy gola.

Dy herë shënoi edhe Çinari në këtë takim. Nga një gol realizuan edhe ganezi Atsina, Kalaja dhe Pusi, ndërsa një gol mban autorësinë e vendësve. Në pjesën e parë, tekniku Cungu ka aktivizuar në portë Sherrin, më pas me radhë, Gocaj, Pjeshka, Orelesi, Gurishta, Tafili, Hasani, Kruja, Vecaj, Lika dhe Atsina.

Në këtë pjesë kuqeblutë kanë arritur të shënojnë plot 7 gola duke treguar edhe një supermaci ndaj vendasve. Në pjesën e dytë, tekniku Cungu ka aktivizuar të gjithë lojtarët e tjerë që ka pasur në dispozicion.

Në 45 minutat e dyta kuqeblutë shënojnë edhe 3 gola të tjerë. Gjatë miqësores u  aktivizuan edhe dy mbrojtësit e huaj që kanë qenë në provë te Vllaznia, si kroati Karlo Kesinoviç, si dhe nigeriani me pasaportë holandeze Randi Onuoha.

Që të dy këta lojtarë nuk kanë bindur me lojën e tyre teknikun Cungu duke mos e kaluar provën për të qenë pjesë e Vllaznisë. Ndërsa afrimi i fundit i Vllaznisë, Erion Vucaj, nuk është aktivizuar në këtë miqësore, pasi ka mbërritur vonë dhe ka zhvilluar vetëm vrapime me ekipin.

Trajneri Cungu

Pas përfundimit të takimit, trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, ka pohuar se testi i djeshëm ka pasur vlera për Vllazninë, si dhe ka sqaruar vendimin e marrë për dy lojtarët e huaj.

cungu

“Kundërshtari ishte modest! Kjo miqësore thjesht na shërbeu, që ekipi të shprehej më lirshëm në fushën e lojës, si dhe për të bërë lëvizjet tona gjatë takimit. Lojtarët që ishin në provë do të largohen. Mbrojtësi i qendrës nuk kishte nivel të kënaqshëm, ndërsa mbrojtësi i majtë kishte cilësi të mira, por nuk përmbushte pritshmëritë e ekipit”, ka deklaruar trajneri Cungu pas miqësores së djeshme. /Admir Uruçi/

Petnjica- Vllaznia 0-10

Golat: Orelesi (2), Lika (2), Çinari (2), Atsina, Kalaja, Pusi, 1 autogol

Vllaznia: Sherri, Gocaj, Pjeshka, Orelesi, Gurishta, Tafili, Hasani, Kruja, Vecaj, Lika, Atsina. (U aktivizuan: Selimaj, Çinari, Kesinoviç, Onuoha, Kalaja, Pusi, Krymi, Bardulla, Marku, Brahimi, Miloti,  Mehmeti, Rajçeviç, Ruqi, Kukaj.)

 

Trajner: Armando Cungu