19
D, N
3006 New Articles

Spektakël në Antalia, Shqipëria mposht Turqinë 3-2

SPORT
Typography

Shqipëria ka fituar miqësoren e parë të saj, nën drejtimin e trajnerit Kristia Panuçt. Kombëtarja kuqezi ka mposhtur Turqinë, me rezultatin 2-3, në sfidën e luajtur në Antalia.

Armando Sadiku ishte heroi i sfidës, me 2 golat e shënuar, ndërsa vlen të theksohet se kuqezinjtë luajtën për më tepër se 50 minuta me 10 futbollistë, pas daljes me karton të kuq të mesfushorit Ledian Memushaj.

Pjesa e parë ka përfunduar me kryesimin e Shqipërisë 0-2, pas dygolëshit të Sadikut. Kombëtarja e Panuccit funksionon më së miri, teksa u mbrojt mjaft mirë dhe kundërsulmoi rrezikshëm, duke gjetur golin 2 herë. Për t’u veçuar edhe kombinimi perfekt i dyshes Roshi-Sadiku, me të parin që ka asistuar 2 herë dhe sulmuesin elbasanas që ka dërguar topin në rrjetë. E vetmja notë negative në këtë 45-minutësh, është kartoni i kuq i Memushajt, pas ndëshkimit me 2 të verdhë.

Në fillimin e pjesës së dytë, Turqia gjen menjëherë golin, me anë të sulmuesit të Romës, Under, por vetëm pak minuta më pas, Shqipëria shënon me anë të Grezdës dhe çon rezultatin 1-3. Vendasit shfrytëzojnë epërsinë numerike dhe hidhen në sulm, ndërsa në minutën e 60’, ngushtojnë edhe një herë diferencën e golave, me anë të mesfushorit Akbaba.

Minutat në vijim sjellin disa sulme sporadike të vendasve, ndërsa Shqipëria e Panuccit mundohet të mbajë sa më shumë topin dhe të ulë ritmin. Zëvendësimet e shumta të të dy trajnerëve , krijojnë një konfuzion në lojë dhe asnjë skuadër nuk arrin të krijojë më raste të rrezikshme.

Përfundon me fitore miqësorja e parë e Panuccit, ndërsa eksperimenti i tij mund të themi se rezultoi i suksesshëm, të paktën deri në minutën e 42-të, kur ishim me forca të barabarta në fushë. Paraqitje mjaft të mirë dhuroi edhe i rikthyeri Sabien Lilaj, që për 85 minuta ishte një pikë referimi në mesfushën e Shqipërisë. Në pjesën e dytë u aktivizuan edhe dy risitë e grumbullimit të Panuccit, Astrit Ajdareviç dhe Kamer Qaka, por për vetë situatën e lojës, në kohën kur u aktivizuan, ishte e pamundur të krijoje një ide më të qartë për cilësinë e tyre.